Plot incidente u mbyll mbrëmja e çmimeve Oscar dhe lajmet e këqija vazhdojnë të vinë.
Pas situatës së sikletshme ku cast-i filmit “LaLaLand” u detyrua të dorëzoj çmimin te kolegët e “Moonlight” dhe njëkohësisht gafës së vendosjes së fotos së një producenteje Australiane në videon e dedikuar yjeve të kinematografisë që janë larguar nga jeta këtë vit, nuk vonoi shumë për të ardhur një tjetër lajm i hidhur për Akademinë.
Shifrat e audiencës rezultojnë më të ulëtat në 9 vitet e fundit dhe e gjithë shfaqja mund të futet në historinë e çmimeve Oscar si shfaqja e dytë më pak e ndjekur. Rekordi aktual mbahet nga shfaqja e vitit 2008 me 32 milion telespektatorë.
Sipas të dhënave të “The Nielsen Company” numri i teleshikuesve zbriti nga 34.3 milion që ishte audienca e një viti më parë në 32.9 milion, duke shënuar një rënie prej 4.08% nga viti 2016, shifër kjo jo e vogël për një nga shfaqjet më të shumëpritura të vitit.
Shfaqja u prezantua nga Jimmy Kimmel dhe pritshmëritë ishin të mëdha. E gjithë ceremonia u karakterizua nga nota të larta politke, ku fjalimet e prezantuesve të kategorive fituese apo dhe të vetë fituesve ishin kritika të drejtpërdrejta ndaj presidentit Trump dhe ndoshta politizimi i madh i shfaqjes së këtij viti ka sjellë dhe këtë rënie të audiencës.
Nga ana tjetër, shfaqjet e tjera të shpërndarjes së çmimeve në kinematografi apo muzikë shënuan një rritje të kënaqshme të audiencës. The Grammy Awards u ndoqën nga 26.1 million shikues, 1.05 milion më shumë se në vitin 2016, ndërsa ceremonia e Golden Globes u ndoq nga 20 milion teleshikues, shifra më e lartë në dekadën e fundit dhe shënoi një rritje prej 1.5 milion shikuesish.
Me ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve Oscar mbyllet dhe sezoni i shpërndarjes së çmimeve në Shtetet e Bashkuara dhe nëse vazhdon me këto ritme të rënies së audiencës, ndoshta në vitet e ardhshme, Academy Awards nuk do të jetë në vendin e parë, për shfaqjet më të shumëpritura të vitit.
Shpresojmë të mos të ketë surpriza të tjera.
©InfoMedia Albania | Nga K. Jasini