Të denja për një skenar të filmave të Hollywood, ngjarjet e kësaj javë në politikën shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e shumëkujt. “Dueli” Rama-Doshi, që u ashpërsua të hënën, duke mos humbur ritmin gjatë gjithë javës, me akuza e kundërakuza, ka qenë në fokus të lajmeve dhe ishte eventi më i debatuar në rrjetet sociale, pas videove të publikuara dhe reagimeve të institucioneve zyrtare. Dueli kulmoi të enjten në mbrëmje, kur dy kundërshtarët, dikur aleatë, u “përballën” përmes dy televizioneve kryesore, Tom Doshi në një intervistë ekskluzive në“Top Story” në Top Channel me gazetarin Sokol Balla dhe kryeministri Edi Rama në “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevziu.
E etur për të mësuar më shumë rreth prapaskenave të tentativës së pretenduar për vrasjen e deputetit Tom Doshi, audienca ka pasur vëmendje të konsiderueshme, duke synuar ndjekjen e të dy emisioneve nëpërmjet kalimit nga njëri kanal te tjetri si dhe duke shfrytëzuar hapësirën e blloqeve të reklamave (sipas të dhënave nga kompania e matjes së audiencës, Telemetrix.)
Teksa Tom Doshi ka treguar versionin e tij të ngjarjeve në fillim të Top Story, ka arritur audiencën më të lartë, me një rating prej 19.1 % (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor).
Më pas, audienca kryesore ka kaluar te Tv Klan, ku Rama arrin shikueshmërinë më të lartë në orën 22:00 me një rating prej 19.9 %, ndërsa Top Story ishte në hapësirën e bllokun të reklamës.
Më pas në audienca ndjek Top Story 22:00 – 22:30, me maksimum (në këtë fashë) 18.7 % rating.
Shikueshmëria ka qenë më e lartë në krahasim me debatet politike të të enjtes, ku rating është mesatarisht 16-18% për Opinion dhe diçka më pak (10-13%) për Top Story.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
Qe prej shtatorit 2014, “Telemetrix” ka një panel prej 375 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 7 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri Berati dhe Korca.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).