Shpërthimi i fuqishëm me lëndë eksplozivi pasditen e së martës në zonën e ‘Vasil Shantos’ në Tiranë shkaktoi plagosjen e rëndë të Prend Gjinit, vëllait të Armando Gjinit.
Ky i fundit, i vrarë në 2019-ën në Rrëshen, njihej edhe si anëtar i bandës së Met Kananit, baroni i drogës në Turqi.
Megjithatë, ky atentat duket se ka ardhur në vazhdën e zinxhirit të një sërë vrasjesh për shkak të konflikteve mes dy familjeve të njohura në Rrëshen, fisit Reçi dhe Gjini.
Kujtojmë se përplasjet mes dy familjeve nisën në 2016-ën për konflikte të trafikut të lëndëve narkotike, aktivitete që i ushtronin jashtë Shqipërisë, pra nga Turqia e më pas drejt vendeve të tjera të BE.
Që prej 2016-ës, këto dy familje kanë eliminuar pjesëtarë të njëri-tjetrit dhe dyshimet fillimisht u lidhen me konfliktet për pazaret e drogës, dhe më pas u kthye në një sagë vrasjesh për hakmarrje mes tyre, madje, ekzekutimet janë kryer edhe jashtë Shqipërisë.
9 shtator 2016 vritet në Rrëshen Sajmir Jaku, në atë kohë drejtues i OSHEE për veriun
Jaku u qëllua me kallashnikov ndërsa ndodhej në një lokal në qendër të qytetit bashkë me një person tjetër. Jaku humbi jetën, kurse shoku i tij mbeti i plagosur.
Autorët braktisën makinën tip “Benz-Mercedes” me të cilën u larguan pas krimit në fshatin Gallatë të Kurbinit.
28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi në Romë, Itali, (vëllai i Kastriot Reçit viktima e fundit 7 janar 2020 nga hakmarrjet mes dy fiseve).
Gasper Reci, 43 vjeç u vra pranë shtëpisë së tij ku jetonte në Romë me 4 plumba. Për këtë vrasje nuk pati asnjë të dyshuar, ndërsa hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
06 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini në Belgjikë.
31 vjeçari u vra me dy plumba në komunën Forest të Belgjikës. Nipi i Sajmir Jakut punonte në një lokal si kamarier në Saint-Denis. I riu u vra sapo mbylli orarin e punës dhe do të largohej me mjetin e tij.
Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej tyre nuk është ndaluar apo arrestuar njeri.
Gusht 2019, vritet Armando Gjini në qendër të Rrëshenit
Verën e shkuar u vra në qendër të qytetit Armando Gjini, i njohur ndryshe edhe si Tonin Gjini. Ai akuzohej se ishte pjesë e grupit të Met Kananit, ose ‘Eskobari shqiptar’.
Kjo vrasje mendohet se ka lidhje me krimin e 7 janarit 2020 ku u vra me spajper Kastriot Reçi, biznesmen i njohur dhe ish-pronar i televizionit lokal në Lezhe.
Dyshimet janë se saga e vrasjeve kanë pasura konfliktet mes dy familjeve Reçi dhe Gjini në Rrëshen, me precedentë që lidhen kryesisht me trafikun e lëndëve narkotike të përqendruar kryesisht jashtë vendit, si dhe hakmarrjen mes tyre.