Një ngjarje e rëndë kriminale ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen 16 të Durrësit. Edmond Koçi, i njohur ndryshe dhe si Mond Çekiçi një person me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë sipas policisë lokale u ekzekutua përpara lokalit ku zakonisht pinte kafen e mëngjesit.
Automjeti ku ndodhej viktima ka ndaluar pranë lokalit. Menjëherë pas tij ka ndaluar dhe një mjet tjetër ku dyshohet se ishin dy persona të veshur me kamuflazh.
Ata kanë qëlluar mbi mjetin nga ana e pasme dhe më pas i kanë dalë përbri duke qëlluar në drejtim të vendit të pasagjerit ku ndodhej Mod Çekiçi, ndërsa shoferi i tij ka zbritur nga mjeti dhe është larguar për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.
Dy karikatorë kallashnikovi janë zbrazur në drejtim të 40-vjeçarit Çekiçi që mbeti i vdekur në vend, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. 30 minuta më vonë në Sukth u gjet një mjet tip “Benz”, me targa të vjedhura, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
E kaluara e tij problematike, si anëtar i bandës së Durrësit, është një nga pistat e hetimit.
Një tjetër pistë e lidh vrasjen e tij me ekzekutimin e Edmir Bregut në të njëjtën lagje të Durrësit në janar të këtij viti, vrasje që po hetohet për lidhjen me trafikun e narkotikëve.
Edmond Koçi ishte ndaluar në shtator të vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje, po përfitoi për shkak të pandemisë dhe u la në gjendje të lirë, për t’u ekzekutuar 6 muaj më pas.