Asambleja e 80 – të e Përgjithshme e EBU – së, Bashkimit të Transmetuesve Evropianë u zhvillua në Tiranë/ Shqipëri më 28 – 29 qershor 2018. Siç është praktikë, ne çdo mbledhje të përgjithshme të EBU-së, u zhvilluan takime me përfaqësuesit më të lartë të vendit organizator për të diskutuar për çështjet e medias në përgjithësi e për median publike në veçanti.
RTSH mirëpriti për herë të parë në historinë e EBU – së këtë Asamble të Përgjithshme, duke qenë anëtare më të drejta të plota në EBU që prej vitit 1999.
Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tony Hall është zgjedhur si Presidenti i ri i Bashkimit Evropian të Transmetimeve (EBU) ndërsa Delphine Ernotte Cunci, Drejtoreshë Ekzekutive e France Télévisions, do të shërbejë si Zv / President.
Të zgjedhur me shumicë absolute votash në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të EBU në Tiranë, dy drejtuesit do të marrin rolet e reja më datë 1 janar 2019 për një periudhë dyvjeçare. Tony Hall dhe Delphine Ernotte Cunci do të udhëheqin Bordin Ekzekutiv të EBU-së dhe do të ndihmojnë në promovimin e vlerës dhe rëndësisë së mediave të shërbimit publik në të gjithë Evropën.
Tony Hall ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i BBC-së që prej vitit 2013. Ai së pari u bashkua me BBC në vitin 1973 dhe gëzonte një karrierë 28-të vjeçare duke punuar në një gamë të gjerë rolesh që kulmuan si Kryeshefi Ekzekutiv i BBC News. Në vitin 2001 u largua nga BBC për të marrë rolin e Shefit Ekzekutiv të Shtëpisë së Operës Mbretërore dhe u bashkua me Korporatën si Drejtor i Përgjithshëm në vitin 2013.
Ndër të tjera në këtë Asamble ai u shpreh : “Jam i kënaqur që jam zgjedhur President i EBU-së. Është një organizatë – si në Evropë ashtu edhe në nivel global – me një histori krenare që ka përmirësuar standardet e transmetimit dhe ka ndihmuar në avancimin e adoptimit të teknologjive të reja dhe inovacionit. Shërbimi publik i transmetimit (PSB) nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm dhe luan një rol vendimtar, jo vetëm në sigurimin e lajmeve të paanshme, por në prodhimin e programeve që pasqyrojnë jetën dhe aspiratat e publikut që shërben. Por, në një botë të globalizuar, transmetimi i shërbimit publik përballet me një sërë sfidash, me ndryshimin e zakoneve të shikimit dhe mënyrave të reja të konsumimit të lajmeve. Se si PSB-të përshtaten dhe ndryshojnë me të vërtetë, është diçka që mendoj se mund të punojmë sëbashku për të mirën e atyre që shërbejmë “.
Delphine Ernotte Cunci u emërua CEO i France Télévisions në vitin 2015. Para se të bashkohej me France Télévisions, ajo kaloi 26 vjet në Orange S.A. (e njohur më parë si France Télécom), së fundmi duke punuar si CEO i Orange France nga 2011-2015.
Në këtë asamble ajo u shpreh : “Jam shumë e lumtur të bashkohem dhe të vazhdoj traditën e gjatë dhe të gjallë të bashkëpunimit midis France Télévisions dhe të gjithë kolegëve të saj evropianë. Përtej mbrojtjes së pavarësisë sonë dhe vlerave tona, përforcimi i bashkëpunimit dhe solidaritetit mes anëtarëve tanë do të jetë sfida jonë e ardhshme. Perveç përballjes me ngritjen e platformave globale dhe shfaqjen e programeve që tejkalojnë kufijtë, ne duhet të bashkojmë forcat në të gjithë Evropën, që të jemi në gjendje të ripohojmë rolin tonë si ofrues të shërbimeve mediatike për të gjithë audiencat. Jam e bindur se vetëm një qasje e vërtetë kolektive do të na mundësojë që të përmbushim sfidat përpara dhe të krijojmë kushtet për rimarrjen e audiencës sonë. I tillë është besimi që më ka sjellë për të mbrojtur mediat e shërbimit publik në Francë. E njëjta bindje do të më udhëheqë në nivel evropian për kohëzgjatjen e mandatit që më është besuar nga anëtarët e EBU-së “.
Tony Hall dhe Delphine Ernotte Cunci do të zëvendësojnë Jean-Paul Philippot (RTBF) dhe Monica Maggioni (RAI), të cilët kanë shërbyer si Presidente dhe Zv / President për dhjetë vjet dhe tri vjet respektivisht.
RRETH EBU-së
EBU – Bashkimi i Transmetuesve Evropianë – EBU është aleanca drejtuese në rang botëror e shërbimit të medias publike. Ka 73 anëtarë në 56-të vende në Evropë dhe 33 anëtarë të asociuar në Azi, Afrikë dhe Amerikë. Anëtarët e EBU – së operojnë pothuajse 2 000 stacioneve televizive, radiofonike dhe kanale e shërbime online duke ofruar një pasuri të tërë programesh nëpërmjet platformave të tjera. Së bashku këta anëtarë arrijnë një audiencë prej më shumë se një miliardë njerëz në të gjithë botën, duke transmetuar në më shumë se 120 gjuhë. EBU operon shërbimet e Eurovision dhe Euroradio.
EBU është e dedikuar t’a bëjë shërbimin e medias publike të domosdoshëm. EBU mbështet dhe fuqizon shërbimin e medias publike, ofron shërbime mediatike të klasit të parë dhe i ofron anëtarëve një qendër për të mësuar dhe shkëmbyer eksperiencë.
Kjo asamble e 80-të shënoi një numër rekord pjesëmarrësish dhe përfaqësues të lartë të mediave publike të Evropës si : Drejtori i Përgjithshëm i BBC, Drejtorja e Përgjithshme e France Televisions, Drejtori i Përgjithshëm i ARD, Drejtori i Përgjithshëm i TRT, Presidentja e RAI, Drejtori i Përgjithshëm i ORF, Drejtori i Përgjithshëm i ERT, drejtuesit e përgjithshëm të mediave publike të Ballkanit, Polonise, Hungarise, Zvicres etj.