Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u organizua sot hapja e fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”.
Kjo iniciativë e re e Bankës së Shqipërisë ka si qëllim ndërgjegjësimin e publikut për mospërdorimin e termave të gabuar “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në veprimet e tyre financiare, terminologji që ka sjellë në kohë një konfuzion të vazhdueshëm.
Pikërisht për të shmangur këtë konfuzion, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë kombëtare disavjeçare, për të theksuar se monedha shqiptare quhet thjesht Lek dhe vlera nominale e saj është ajo e shkruar mbi monedhë apo kartëmonedhë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Prof. Dr. Adrian Civici, akademik i Asociuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut.
Gjatë fjalës së tij, guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë këtë fushatë në kuadër të rolit të saj në edukimin financiar si dhe në përmbushje të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë qëllim, në rezolutat e vlerësimit të veprimtarisë së institucionit tonë.
Në vijim Guvernatori theksoi se, “të dhënat e vrojtimin në bazë kombëtare për matjen e shkallës së përdorimit të terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër” dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut është një fenomen mjaft prezent në shoqërinë tonë, pasi më shumë se gjysma e të intervistuarve e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e lekut”.
Gjithashtu, vijoi ai, rezultatet tregojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut varion sipas grupeve socio-demografike, si grupmosha, niveli arsimor, punësimi, niveli i të ardhurave etj.
Bazuar në gjitha elementet e lartpërmendura, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë këtë fushatë ndërgjegjësuese gjithëpërfshirëse, e cila do të shtrihet në kohë dhe do të prekë grupe të ndryshme interesi. Për realizimin e saj, Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me institucione relevante, duke synuar ndërtimin e një platforme gjithëpërfshirëse me mjete dhe kanale komunikimi, ndër të cilat veçojmë bashkëpunimin me: Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të organizuar leksione për nxënësit dhe gjimnazistët pranë Muzeut të Bankës së Shqipërisë; universitetet për të organizuar leksione në auditore me ekonomistë, psikologë etj; Autoritetin e Medias Audiovizive për të ndërgjegjësuar sa më shumë mediet të shmangin përdorimin e kësaj terminologjie; Dhomën e Tregtisë për të rritur ndërgjegjësimin e subjekteve tregtare si dhe me qëllim që çmimet të jenë të shprehura vetëm në monedhën vendase; institucione të tjera kombëtare e lokale për shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe posterave të përgatitur nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim.
Në përfundim të aktivitetit, në emër të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori ftoi të gjitha institucionet e lartpërmendura që t’i bashkohen angazhimit të Bankës për të ndërgjegjësuar publikun shqiptar për të lënë pas njëherë e përgjithmonë përdorimin e kësaj terminologjie të gabuar në marrëdhëniet ekonomike e financiare, me bindjen se ka ardhur koha ta kthejmë atë përfundimisht në një relikt linguistik.