Artistët do të nisin betejën ligjore për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga vendimi i qeverisë dhe bashkisë për ta shembur.
Aktori Neritan Liçaj tha për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora se akt ekspertimi për Teatrin Kombëtar është bërë me dokumente të falsifikuar. Për këtë, Liçaj tha se do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori.
Neritan Liçaj: Ne do ta ankimojmë. Ne kemi filluar betejën ligjore, sepse edhe drejtësia duhet të tregojë frytet e procesit të vettingut. Kryeprokurorit do t’i çojmë padi të tjera për funksionarë të tjerë të lartë të shtetit. Ne mbrojmë një gjë publike dhe këtu janë të detyruar institucionet e reja për ti treguar opinionit që kanë dalë nga një proces i pastër. SPAK duhet të na vërtetojë ne që kanë dalë nga një vetting. Çështje më të pastër se kjo e jona nuk ka. Këtu nuk ka luftë mes partish. Këto institucione duhet ta tregojnë këtë.
Kur kanë bërë akt ekspertimin në 2018 edhe ai ka qenë një falsifikim, sepse ne e kemi zbuluar me fakte që 3 nga ata personat që e kanë firmosur nuk kanë licencë. Të gjithë të tjerët janë njerëz të qeverisë. Këta nuk ndalen këtu, këta venë e bëjnë akt ekspertimit tani. Ku kanë ardhur këta të bëjnë akt ekspertimin, këta të gënjejnë ditën për diell dhe sigurisht për këtë do të ketë ndjekje penale sepse kanë falsifikuar dokument. Do shkojmë në prokurori pas pak për bërë kallëzim penal për falsifikim dokumenti, shfrytëzim posti etj. Është një shtet po detyron njerëzit që po nuk falsifikoni dokumentet do t’ju pushojmë nga puna.
Sa i takon projektit, Liçaj u shpreh se ai projekt i ngjan më tepër një koteci pulash sesa një Teatri.
Neritan Liçaj: Edhe projekt të ri nuk ka. Ajo gjëja që ka sjellë ai arkitekti me emrin si teshtime kali nuk është projekt. Sigurisht që do votohet nga Këshilli Bashkiak i pa ligjshëm dhe i pavotuar, por projekt nuk ka. Nëse do të sillnin një projekt sic duhet, ju do të shikoni që ai është një kotec pulash. Dua të sqaroj edhe gënjeshtrën që bën Kryebashkiaku i paligjshëm dhe i pavotuar, që thotë se asnjë centimetër e teatrit nuk do të preket. E para projekti është në ajër, nuk është në tokë. Ai llogarit nga hyrja e sallës ‘Kadri Roshi’ deri në fund të skenës, me këtë luan ai. Pjesët e tjera janë hapësira publike dhe unë i marr për kulla. Nuk llogarit edhe pjesët skenike këtej, se edhe këtej janë 3 skena të vogla. Unë po e bëj të qartë, që nuk është projekt dhe gënjejnë ditën për diell.