Pas arritjes së marrëveshjes me naftëtarët, kryeministri Rama tha se ata e pritën mirë ofertën e tij ndërsa theksoi se naftëtarëve iu është vënë në dispozicion një pagë të konsiderueshme, 55 mijë lekë burto apo 40 mijë lekë neto bashkë me sigurime shëndetësore dhe shoqërore.
Sa i përket çështjes së dytë, ardhjes së një investitori të ri kryeministri garanton se qeveria nuk është dorëzuar dhe rafineria do rindizet pasi tashmë ka kontakt me 3 kompani të rëndësishme dhe serioze.
“Privilegji për të shërbyer, ndjej kënaqësi që çka ne kemi vënë në dispozicion për 870 naftëtarë dhe punonjës e punonjëse të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre.
Në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të kalkulojmë çdo ditë si asnjëherë më parë në eksperiencën time në detyrë për të qenë largpamës pasi jemi në kushtet e paparashikueshmërisë, nuk është e lehtë. Jemi të bindur që kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto, dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj.
Në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime të plota shëndetësore e shoqërore, dhe të kenë garancinë e një page mjaft të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë që kanë kaluar”, theksoi Rama për mediat.
Investitori i ri i rafinerisë?
I pyetur se cila kompani do të investojë në rafinerinë e Ballshit, Rama u shpreh se “Na lejoni të shijoj këtë moment kaq pozitiv dhe njerëzor ku realisht kemi qarë hallin bashkarisht si një familje, dhe materializuam moton tonë që askush nuk do jetë vetëm. Gjithçka që është e mundur do bëhet për këdo që është nevojë. Nuk i kemi të pakufizuara mundësitë, por ky grup njerëzish janë të specializuar, dhe nuk jemi dorëzuar për perspektivën e rafinerisë. Pavarësisht se është një rafineri që ka teknologji të vjetër, dhe do një investim të madh. Nuk i shmangem. Vazhdojmë procesin, i kemi dhënë kohë të mjaftueshme këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht. Në momentin që do të jetë investitori dhe do rinsië rafineria s’do kenë nevojë për këtë mbështetje që janë paga të konsiderueshme.
S’dua të bëj komente konkrete, jemi në kontakt me 3 kompani dhe janë kompani të mëdhaja, të rëndësishme por koha që jetojmë është problem. E kemi hasur në problemet tona. Ajo që mund të them është se rafineria po, do rindizet”- tha Rama.