Një ish zyrtar i lartë i Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ish drejtori i saj Klodian Gradeci, i shpallur në kërkim për abuzimin 1.4 mln dollarë, është ndaluar nga Policia e Tiranës, njoftoi kjo e fundit të martën. “Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” bëhet e ditur në njoftimin e policisë.
Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim dhe me FBI-në, çoi në pranga disa zyrtarë të Agjensisë së Burimeve Natyrore. Mediat hodhën dyshime se një prej personave arriti të arratisej nga Shqipëria, pak orë para nxjerrjes së fletë-arresteve. Sipas tyre Gradeci ishte larguar në drejtim të Turqisë, vetëm një ditë para se prokurori të firmoste fletëarrestet. Ato kujtojnë se në detyrën e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodian Gradeci dha dorëheqjen pas skandalit me DH Albania, një kompani fantazmë e cila fitoi tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi. E njëjta kompani e cila falsifikoi dokumentet si e regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara dhe fitoi tenderin 20 milionë euro të Unazës së Madhe. Pas këtyre ngjarjeve Gradeci u emërua drejtor i AKBN, ku po akuzohet për abuzimin 1.4 mln dollarë.