Armenia ka shpallur gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm ushtarak pas përplasjeve në Nago-Karabaku, një rajon i shkëputur i cili është brenda Azerbajxhanit, por drejtohet nga armenët etnikë.
“Qeveria ka vendosur të deklarojë gjendjen e luftës dhe një mobilizim total” është shprehur kryeministri armen Nikol Pashinyan.
Nga përplasjet e armatosura Armenia raportoi se 16 nga ushtarakët e saj ishin vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur në përleshjet me forcat azeriane. Ndërsa Azerbajxhani raportoi për 19 civilë të plagosur. Ministria e Mbrojtjes armene ka deklaruar se ka shkatërruar tre tanke dhe ka rrëzuar dy helikopterë, si dhe tre dronë në përgjigje të sulmeve azere.
Rajoni i Nagorno-Karabakut është një zonë me popullsi armene në Azerbajxhan në të cilin janë zhvilluar tensione separatiste prej dekadash. Luftimet kryesore janë zhvilluar në vitin 1991 për të arritur në një armëpushim në vitin 1994.
Konflikti për një kohë të gjatë shqetëson pjesërisht vendet perëndimore dhe rajonale sepse mund të shkaktojë paqëndrueshmëri në Kaukazin e Jugut, i cili shërben si një korridor për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz në tregjet botërore.