Armando Shkullaku ditën e sotme është larguar nga drejtimi i informacionit të ABC News. Në një intervistë për Gazetën Mapo ai shprehet se Aleksandër Frangaj drejtuesi i këtij televizioni është shkaku i largimit të tij.
INTERVISTA
Mapo: A është e vërtetë se nuk do të jeni më në drejtimin e AbcNews?
Po, është e vërtetë. Pas katër viteve të vështira por edhe të bukura në rindërtimin dhe konsolidimin e këtij televizioni informativ, erdhi dhe momenti që në fakt, ne gazetarët, e kemi gjithnjë të pritshëm, ai kur një projekt ndërpritet apo përfundon.
Mapo: Ishte zgjedhja juaj?
Jo, vendimi për të lënë AbcNews nuk ishte një zgjedhje e imja. Pronari i grupit mediatik për të cilin unë punoj, gjykoi se në këtë periudhë televizionit i duhet një qasje e re, menaxhariale dhe editoriale, dhe kështu kontrata ime 4-vjeçare me AbcNews quhet e përfunduar këtu. Nuk do të kem një kontratë të re me këtë televizion.
Mapo: Dhe pas kësaj, a keni menduar se ku do të angazhoheni?
Frangaj më ka bërë disa propozime brenda grupit mediatik Klan. Drejtues i programacionit në Tv Klan, drejtues i një emisioni politik në AbcNews apo dhe propozime të tjera, të cilat jam duke i konsideruar përpara nënshkrimit të një kontrate të re.
Për momentin do të pushoj për pak kohë dhe më pas do të shikoj vijimësinë.
Mapo: Ju vjen keq që po ndaheni me AbcNews?
Padyshim, pasi besoj se bashkë me ekipin e gazetarëve dhe redaktorëve aty, mundëm të krijojmë dhe të zhvillojmë një hapësirë mediatike profesionale dhe të lirë. Kam vlerësimin më të lartë për secilin prej punonjësve të AbcNews, me të cilët pata kënaqësinë të punoj këto katër vite.
Besoj se AbcNews është një vlerë për publikun dhe e ka merituar vlerësimin e tij. Nuk është e lehtë të shkëputesh nga një projekt, ku përpjekjet për profesionalizëm janë pjesë e pasionit personal dhe atij të një ekipi të tërë. Por si çdo ndodh rëndom në zanatin tonë, gjërat nuk mund të zgjasin përjetësisht.
Mapo: Pra mesa duket po shkëputeni nga puna e përditshme e politikave edituese…
Nga përditshmëria dhe përgjegjësia institucionale po. Por personalisht do të mbetem i angazhuar, me shkrime dhe opinione, për të thënë gjithnjë atë që mendoj dhe duke u përpjekur të mbetem i paluhatur në bindjet e mija profesionale.