Shumëkush e njeh Arjola Demirin si një vajzë të bukur, ndoshta shumë e njohin atë nga tituj bombastikë të portaleve për rolet e saj në teatër, por besoj se fare pak njohin gruan që fshihet tek aktorja e cila është bërë mjaft e njohur vitet e fundit. E gjitha pohon Arjola për dritare.net, nuk ka ardhur nga qielli, as nga roli te “ Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” që masturbohet në skenë. Jo! Gjithçka është fryt i shumë viteve sfidë. I viteve të tëra refuzim për të qenë pjesë e skenës në Shqipëri, e përballjes me qindra vështirësi, për të arritur deri këtu ku është sot; një aktore që po njeh veç ngritje, nënë e përkushtuar e tre fëmijëve, një grua plot guxim për sfida të reja, të cilat nuk ka aspak drojë të na i tregojë hapur. Thonë se fati është me ata që guxojnë dhe Arjola Demiri është një grua me shumë guxim.
Arjola si ka nisur ky sezon i ri artistik?
Portokallia sapo ka nisur, ndërkohë që jam po ashtu pjesë e shfaqjes “Kopshti me dallëndyshe” me regji të Kiço Londos, e cila do të jepet në Teatrin Eksperimental. Shpresojmë që të jetë një sezon i fuqishëm artistik.
Duket sikur fama juaj erdhi krejt papritur, sidomos pas improvizimit të skenës së masturbimit te “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Mendon se ishte pranimi i këtij roli të guximshëm, gjithçka erdhi më vonë?
Unë jam shkëputur nga bota e artit për shkak të ardhjes në jetë të fëmijëve të mi. Kam pasur vetëm shpresën dhe dëshirën për t’u pranuar në ndonjë audicion, pasi vetë nuk kisha ndonjë ndikim te njerëzit pasi kam qenë një nënë me kohë të plotë. Nuk kam menduar të rikthehem deri pas divorcit. E gjendur në pikën zero, e varur ekonomikisht nga prindërit e mi, për 4 vjet rresht kam ardhur në Tiranë ku kam kërkuar që të isha pjesë e skenës, por nuk m’u hapën asnjëherë dyert. Vendos të shkoj në Kosovë dhe rrugët e mia janë hapur nga një audicion i thjeshtë që kam bërë në serialin “O, sa mirë”. Pas kësaj përvoje, kam pasur filma dhe shumë shfaqje derisa erdhi Madalena, e cila ishte një sfidë të cilën Ben Apolloni ma ka sugjeruar që në 2015-ën. Pavarësisht përdorimit të titujve për klikime, kjo është një vepër tepër e fuqishme që ka në qendër fazat kryesore në jetën e një femre.
Sa e vështirë është për një grua të rrisë 3 fëmijë e vetme, të jetë edhe e suksesshme në profesion?
Është një stërmundim i jashtëzakonshëm, sepse nuk mund të gjendesh në të njëjtën kohë edhe afër fëmijëve edhe në punë. Mundohem që të jem sa më pranë fëmijëve të mi në orët që nuk kam punë. Nuk abuzoj me të dalat jashtë, nuk frekuentoj lokalet. Jeta ime është e ndarë punë-shtëpi, shtëpi-punë. Është shumë e vështirë të jesh femër, të jesh vetëm edhe t’ia dalësh të paguash qiranë, faturat, të kujdesesh si duhet për nevojat e fëmijëve të tu etj.
Së fundmi keni dalë hapur në mbështetje të Partisë Socialiste. Si erdhi kontakti me politikën?
Unë jam rritur e shkolluar me ndjenjën e lirisë. Vendimet e secilit në jetë, karrierë, politikë vijnë nga refleksione dhe përjetime në kontekstet që të servir jeta dhe eksperienca personale. Konkretisht jam përgojuar dhe komentuar lidhur me një prononcim timin ku i jam bashkuar publikisht PS-së në fushatën e pritshme elektorale. Asnjë interes meskin personal nuk më bashkon me PS-në, përveç bindjeve të mia dhe disa të vërtetave që po i them këtu. Ndonëse e shkolluar dhe me tre fëmijë, me një background familjar të djathtë, kurrë nuk u përfilla nga bajraktarët e PD-së në Tropojë, as dhe për një punësim të thjeshtë në bazë të profilit tim. Në vitin 2015 iu bashkova PS-së për të udhëhequr një fushatë në Tropojë që PD-në nga 6500 vota në avantazh, e uli në 407 vota! Pas kësaj eksperience kam pasur mirënjohje nga kjo PS, e cila vazhdon dhe sot. Dhe unë e çmoj mirënjohjen.
Por më i rëndësishëm është fakti se qyteti ku jam lindur e rritur, pika ime e dobët, Bajram Curri, ka ndryshuar në 7 vjet më shumë se në 60 vjet të ekzistencës së tij. Ka investime konkrete dhe jo llafe folklori patriotik.
Ata që e mendojnë veten si komandantë të përhershëm zbori duket që nuk kuptojnë lirinë themelore të njeriut: lirinë për të zgjedhur pa imponim sipas asaj që mendon dhe intereson. Bashkimin tim të ndërgjegjshëm me këtë forcë politike nuk e lidh me emra dhe interesa të përveçëm, por me një reflektim të përjetimeve dhe gjykimeve të mia.
Është e vërtetë që do të jeni në listat për deputete apo është dëshirë e juaja?
Kjo është një dëshirë e imja, me një forcë që më buron nga shpirti për të investuar dhe dhënë kontributin tim të sinqertë në zonën nga unë vij. Është diçka që unë e kam bërë edhe kur nuk e kisha këtë emër, as këtë famë.
Po për Tiranën çfarë mendon, duke qenë se ti ke ikur e je rikthyer sërish?
Shoh një përmirësim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, qoftë në atë infrastrukturor, qoftë në hapësirat për artin. Kur kam qenë unë studente, ka qenë gati e pamundur për të rinjtë që të futeshin në teatër apo të bëheshin pjesë e jetës artistike në kryeqytet. Sot është komplet tjetër atmosferë.
Po si banore e këtij qyteti?
Arjola Demiri: Besoj se është një transformim në proces, por ndikimin e asaj çfarë është bërë besoj e ndjejnë të gjithë. Në takimin që u bë tek Amfitetari te Liqeni, sinqerisht jam befasuar nga transformimi i bërë, pasi ishte hera e parë që e shikoja. Një skenë e denjë për çdo performues, për çdo artist. Deri dje hapësirat për artistët ishin inekzistente, sot ato po shtohen dita ditës.
Në skenën e Amfiteatrit ishit krah kryebashkiakut Veliaj, ç’raport keni me të?
Është hera e dytë që e takoj z. Veliaj. Unë kam shprehur dëshirën të jem imazh artistik i “FRESH VOICE”. Ishte diçka e natyrshme pjesëmarrja në atë takim, një mbështetje e sinqertë nga ana ime për punën e bërë dhe për bindjet e mia.
Keni pasur shumë komente pas deklaratave tuaja publike në mbështetje të PS-së. Si e sheh luftën e ashpër që bëhet në politikë, sidomos ajo ndaj grave?
Të gjitha komentet i kam kaluar me sportivitetin më të madh, sepse të jesh femër në Shqipëri është mjaft e vështirë. Unë jam një grua që jam çuar vetë në këmbë dhe sot flas sepse kam një zë për të folur. Shoqëria jonë e lufton femrën, nuk e sheh si pjesën më të mirë dhe më të fortë të saj. Ndaj asnjë koment i bërë nga njerëz që as nuk të njohin dhe as nuk kanë çfarë të bëjnë, nuk mund të më cenojë apo të më prishë ditën.
Çdo vështirësi të ka bërë edhe më të fortë…
Çdo gjë që kam kaluar më ka bërë padyshim më të sigurt, më të pamposhtur, më të fortë. Ata që kanë sakrifikuar janë prindërit e mi nga lindja deri tani. Unë kam vetëm një vit që kam fituar pavarësinë time ekonomike, vetëm një vit që familja ime është e qetë se fëmijët e mi kanë gjithçka ju duhet.
Njerëz të ndryshëm publikë janë gjykuar përherë për angazhimet e tyre në politikë…
Unë jetoj dhe edukoj e shkolloj tre fëmijët e mi. Punoj shumë pa u ndalur. Karrierën e jetën time e mbështes vetëm te puna ime. Politikisht nuk mund të jem indiferente si secili në këtë vend dhe 1000 herë po të më pyesin për pikëpamjet e mia sot të njëjtën përgjigje do t’ju jap siç deklarova para të rinjve të FRESH VOICE: “Zgjedhja më inteligjente sot për sot dhe e vetmja do të ishte bashkimi me Edi Ramën dhe PS-në për një mandat të tretë”. Gjithsesi unë mendoj, por nuk imponoj. Jam demokrate në shpirt dhe e çmoj lirinë time dhe të të tjerëve. Në demokraci e vetmja peshore është vota. Ratacioni nuk vjen me radhë, por me votë.
Nga Jonida Hitoveizi