Gazetari Arian Çani e ka cilësuar skandal publikimin e pagave.
Ai tha në MCN TV se kjo është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të publikohet.
Sipas Çanit në një vend normal qytetarët pa i thirrur askush duhet të kishin dalë në rrugë dhe qeveria duhet të jepte dorëheqjen.
Pjesë nga intervista:
Si jeni ndjerë ju pasi e morën vesh sa paguheni?
Çani: U kënaqa shumë. Rroga ime dhe disa të tjerëve që punojnë në media nuk është se nuk dihen, sepse i kanë publikuar. Ai publik i interesuar nuk është se nuk i ka ditur. Mua më ka kënaqur shumë se është vënë në vend një saktësim, sepse ka dalë e vërteta. Më pëlqen kjo sepse provon që plus minus 5 unë e kam marrë 20 vitet e fundit këtë pagë. 23% i taksës nga rroga ime mban me bukë me asistencë dhjetëra familje. Unë vetë jam “donator” për njerëzit që nuk kanë çfarë të hanë. Janë 40 milionë lekë të vjetra që shkojnë për shtetin në vit. Nëse shkojnë për familjet e varfra, t’ju bëjë mirë, nëse shkojnë për tenderat është skandal i madh. Edhe unë isha kurioz për ca të tjerë që janë mbi mua, por nuk kam zili.
Është kjo një mënyrë për të goditur njerëzit e medias?
Çani: Jo nuk mendoj. Por unë ftoj të shohin ata që nuk dalin në media. Ka njerëz me paga shumë më të larta që nuk janë në listë, si ka mundësi.
Mendoni se janë paguar para që disa emra mos dalin në listë?
Çani: Këtë nuk e di. Secili nga ne mund të mendojë se janë ata që kanë nxjerrë listën. Spekulimet janë pa fund. Pyetja është për ata që janë fshehur pas nipteve. Kjo listë na shërben edhe për evazionin fiskal. Ky është një vend bordello në të gjitha kuptimet. Këtu në vend që të skandalizohemi që kjo ka ndodhur, i ftoj qytetarët ta marrin si një lojë.
Çfarë duhet të prodhonte publikimi i këtyre të dhënave?
Çani: Në një vend normal sot njerëzit pa i thërritur askush duhet të ishin në rrugë. Kjo gjë në një vend serioz ku jeta ka vlerë qeveria sot duhet të mendonte për dorëheqje. Këtu është vend i botës së tretë të Afrikës së varfër, vetëm se kemi lëkurë të bardhë. Ky skandal është vetëm maja e ajsbergut. Njerëzit që janë IT thonë që ky është vetëm fillimi. Thonë që kanë databasa të tmerrshme. Jemi në një situatë tragjike, por duke qenë Shqipëria është komike.