Pas shumë vitesh Arjan Cani nuk u rikthye në ekran cdo të premte këtë sezon të ri televiziv në “Klan” me “Zonë e Lirë”, teksa arsyet e largimit e tij mbeten mister. Në lidhje me këtë gazetari i njohur ka folur mbrëmjen e sotme në “Natën me Aulonën”, në një intervistë ku rrëfeu shumëcka, sigurisht për programin e tij, karrierën në televizion, por edhe për jetën personale.
Fillimisht, Cani pranoi se vitet e fundit si ai vetë, po ashtu edhe emisioni i tij kishin ndryshuar, kjo për shkak të “presioneve të shumta nga të gjitha anët”. Ai tha se para 20 vitesh kur “Zonë e Lirë” nisi dhe për një 10-vjecar, e gjithë përmbajtja e programit të tij dhe të ftuarit ishin “të lirë” të shpreheshin si të donin, ndërsa më pas hynë në lojë rregullat e AMA-s dhe shumë faktorë të tjerë, që e detyruan të ndryshonte qasjen dhe mënyrën si vinte tek publiku.
Në lidhje me kritikët e “Zonë e Lirë” ai tha se në fakt në programin e tij nuk është abuzuar asnjëherë dhe nëse ka pasur censurë dhe kritikë, ai ngre pyetjen: “Ku është ky publik dhe këto masa sot kur në reality show-t e ndryshëm bëhet seks në orare të papërshtatshme, në mes të ditës?” Po ashtu gazetari i quajti këto formate si “të neveritshëm”, ndërsa nuk hezitoi të bënte “avokatin” për emision e tij dhe atë cka sillte në ekran.
Ndërkohë, në lidhje me largimin nga televizioni dhe “pushimet” që ka marrë, moderatori tha se “Zonë e Lirë” thjesht nuk do të jetë më në Klan, por do të nisë shumë shpejtë diku tjetër, pa e konfirmuar se ku. Ai tregoi se nga televizioni ku ishte, mund të ishte larguar edhe 3 vite më parë, por zgjodhi të qëndronte, ndërsa arsyeja e largimit ishte krejt natyrale dhe aspak “tronditëse” për të pasi kishte ardhur momenti të ndodhte. Cani rrëfeu se ruan respekt dhe është “ndarë” me marrëdhënie të mira me drejtuesit e Klan, ndërsa motivet që cuan drejt “divorcit” ishin teknike dhe për shkak të palëve të treta, që sipas tij publiku nuk ka interes t’i dijë.
Po ku do të vijë “Zonë e Lirë” së shpejti? Ndërsa nuk përmendi emrin e televizonit, Cani pranoi se ka pasur bisedime me “Abc News”, por nuk kanë rënë dakord të nisin. Po ashtu ai konfirmoi edhe lajmet se ka biseduar me drejtuesit e “Top Channel”, jo për të zënë vendin që u la bosh në atë kohë nga Sokol Balla, por për dicka krejt tjetër, që në fund sërish nuk ranë dakord që ta nisin. Ndërsa vetë programi i tij, fillimisht do të vijë si “Zonë e Lirë- Work in progress”, pra si një varian në ndërtim i programit dhe me kalimin e puntatave do të vijë si dicka e madhe që ” do t’i lerë pa fjalë të gjithë”.
Cani tha se ishte duke punuar aktualisht për programin dhe do të rikthehet shumë shpejtë, ndërsa po ashtu tha se formati do të pësojë disa ndryshime të vogla. Arsyeja përse nuk ishte rikthye ende, sipas gazetarit, është pasi vlerësoi cdo ofertë që ju bë dhe mori kohën e mjaftueshme që të bënte më të mirën për “Zonë e Lirë” dhe sigurisht veten e tij.