Ditën e premte më 19 nëntor, në sheshin “Skënderbej” do mbahet “Pop Art Festival” nga Arilena Ara dhe me të ftuar disa këngëtarë të njohur. Ky festival është i pari i llojit të tij për promovimin e një albumi muzikor dhe është koncerti i parë recital para mijëra vetëve në Tiranë për Arilenën. Sot, dy ditë para festivalit, Arilena ka realizuar një intervistë me Jonida Aliçkollin për “Pardon My French” në “Top Albania Radio” ku zbuloi detaje shumë interesante.
Artistja tha se “Pop Art Festival” është diçka shumë më e madhe se një album apo festival, është një brand, një gjë që do të ketë jetëgjatësi. Arilena u shpreh e emocionuar dhe e lumtur teksa tha se pret me padurim datën 19 duke premtuar surpriza.
Do të ketë surpriza… Kam një energji të akumuluar prej dy vitesh, do lë zemrën dhe energjinë time atje…
Që Arilena do të bëjë më të mirën dhe do kalojë përtej pritshmërive, nuk kemi asnjë dyshim. Por, sot Arilena zbuloi për herë të parë se ky festival do zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Data 19 nëntor, ora 19:00 do të kalojë përtej pritshmërive. Do të jetë një festë shumë e bukur, do mundohem të jap një nga performancat më të mira… Një natë e paharrueshme! E nisim me zemrën tonë Tiranën, por do të vazhdojë edhe në qytete të tjera. Është një festival, jo thjesht një koncert.
Padyshim që nëntori është muaj shumë i rëndësishëm për Arilenën, duke iu referuar edhe këngës “Nëntori” që është një nga hitet e padiskutueshme të saj. Kjo e shpjegon edhe arsyen pse ajo ka zgjedhur datën 19 nëntor për të mbajtur festivalin në Tiranë.
Ky muaji nëntor ka shënuar histori padashur. Do e bënim turin në shtator por në pamundësi të kohës fizike dhe për shkak të projekteve që kemi erdhi në nëntor.
Gjon’s Tears, Noizy, Wendy dhe Cryejax janë këngëtarët që do i bashkohen Arilenës në skenë të premten. Sakaq, është përfolur edhe Dafina Zeqiri, për të cilën Arilena tha se ka qenë një nga të ftuarat e para, por nuk kanë arritur të menaxhonin dot datat.
Së fundmi, e pyetur nëse puna është gjithçka ku Arilena ka dedikuar kohën dhe energjitë e saj, këngëtarja është përgjigjur në mënyrë të përgjithshme, duke mos përjashtuar asgjë.
Fundja, dashuria është gjithmonë frymëzim…