U bë kohë e gjatë që kur kemi marrë pjesë në një festival për herë të fundit… po pritja ka përfunduar!
Në datën 19 nëntor, në orën 19:00, sheshi “Skënderbej” do të presë mijëra persona për të festuar “ngjyrat” e albumit të ri të Arilena Arës.
Ajo ka treguar gjithashtu në rrjetet e saj sociale se “Pop Art Festival” do të presë në skenë edhe këngëtarë të njohur si Gjon’s Tears dhe Noizy.
Ky festival është i pari i llojit të tij për promovimin e një albumi muzikor dhe është koncerti i parë recital para mijëra vetëve në Tiranë për Arilenën. Kujtojmë se vitin e kaluar Arilena mbajti një koncert akustik në sheshin “Nënë Tereza”, por pa praninë e publikut në kuadër të masave parandaluese të COVID-19.
Albumi “Pop Art”, me 12 këngë përfshirë këtu edhe “Thirr Policinë”, “Ke me mungu”, “Aligator” dhe “Murderer”, shënon një tjetër stad të karrierës së Arilenës, dhe vendos një standard të ri për industrinë e muzikës shqiptare. Vite pas fitores së X Factor Albania, pak vite pas bujës që pati kënga “Nëntori” dhe shumë pak kohë pas fitores së Festivalit të 58-të të Këngës, Arilena duket gati më shumë se kurrë për sukseset e radhës.
Se çfarë surprizash do të ketë “Pop Art Festival” mbetet për t’u zbuluar në 19 nëntor, në sheshin Skënderbej!