Ari Boulogne, një emër që lidhet me një nga aktorët më të mëdhenj të kinemasë franceze, Alain Delon, u nda nga jeta në vitin 2023 në moshën 60-vjeçare, duke lënë pas një histori të gjatë dhe të dhimbshme. I biri i top modeles dhe këngëtares Nico, anëtare e grupit Velvet Underground, Ari kaloi një jetë të vështirë, të shënuar nga depresioni, varësia nga droga dhe një betejë e pafund për njohjen e atësisë nga Delon, betejë kjo që ende vazhdon.
Pavarësisht ngjashmërisë së dukshme mes tyre, Alain Delon ka mohuar gjithmonë që të ishte babai i tij. Në një moment të veçantë, Delon i kishte thënë Arit: “Nuk je djali im, nuk ke sytë e mi, nuk ke flokët e mi. Kam fjetur me nënën tënde vetëm një herë”. Këto fjalë shënojnë një prej kapitujve më të errët në jetën e Ariut, i cili kërkoi vazhdimisht njohjen e tij si djali i Delonit, por pa sukses.
Ari ishte rritur nga nëna e Delonit, Edith Boulogne, e cila e adoptoi dhe i dha mbiemrin e saj, ndërsa e rriti si djalin e saj në një ambient të ngarkuar me presionin e famës dhe mungesën e babait biologjik. Në autobiografinë e tij, “Dashuria nuk harron kurrë”, Ari rrëfen përjetimet e tij me një nënë të zhytur në varësi dhe përpjekjet për të gjetur identitetin dhe paqen shpirtërore.
Pavarësisht betejave të tij personale dhe të gjitha vështirësive, Ari Boulogne la pas dy fëmijë, Charles dhe Blanche. Ndonëse i kishte takuar disa herë Delonin gjatë jetës së tij, dhe ngjashmëria fizike mes tyre ishte mbresëlënëse, Delon dhe përfaqësuesit e tij ligjorë e përshkruanin këtë si “koincidenca morfologjike”.
Ari Boulogne do të kujtohet si një figurë tragjike, e cila, pavarësisht famës dhe lidhjeve me një prej yjeve më të mëdhenj të Francës, mbeti gjithmonë në kërkim të njohjes dhe dashurisë që i mungonte në jetë.
Burimi Vanity Fair