Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, publikoi disa ditë më parë një video ku shihej nëna e 15 vjeçarit që u dhunua nga policët tek Liqeni Artificial, Zaida Çobo, duke mbajtur një armë në dorë. “Shihni nga çfarë familje vjen 15 vjeçari”, u shpreh Veliu.
Më vonë, rezultoi se kjo video ishte e shkëputur nga një film shqiptar dhe Zaida ngriti padi penale ndaj drejtorit të policisë, duke i kërkuar një dëmshpërblim prej 1 milionë lekësh.
Por së fundmi, Veliu është takuar personalisht në zyrën e tij me nënën e 15 vjeçarit dhe i ka kërkuar falje. “Nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment”, u shpreh ai pas bisedës me Çobon. Më pas, Zaida ka treguar për “ABC News” se e ka tërhequr padinë ndaj Ardi Veliut, duke shtuar se rastin e të birit do ta çojë deri në fund. “Padinë personale të tij po e kam tërhequr sepse jemi njerëz e duhet të japim një shembull pozitiv, ndërsa nga çështja e djalit jo, do t’i shkoj deri në fund”, është shprehur Çobo për “ABC News”.