Do të nisë ditën e sotme në Tiranë vaksinimi anti-Covid i mësuesve. Me ardhjen e dozave të AstraZeneca-s mbrëmjen e djeshme, procesi i vaksinimit pritet të fillojë në kryeqytet dhe më pas të shpërndahet në gjithë territorin e vendit. Ishte kryeministri Rama, i cili pasi priti 38.400 dozat e vaksinës së AstraZenecas në Rinas, njoftoi se përveç mësuesve, do të vaksinohen dhe mjekët e Kosovës. Ata do vijnë ta marrin injeksionin në Kukës.
“Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi, së bashku me Kosovën, për tju dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, duke filluar nga spitali i Prishtinës, që të vijnë të vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi, që nesër. Do organizohemi me strukturat përkatëse atje, për ta bërë këtë të mundur”, tha Rama ndër të tjera, ndërsa bëri me dije sasinë e vaksinave që pritet të vijnë në muajin prill:
“Do ta shtrijmë procesin e vaksinimit me shpejtësi në territorin e Shqipërisë duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi ndërkohë shpejt presim një sasi edhe më të konsiderueshme. Janë 60 mijë doza të tjera që do të jenë këtu në prill, ndërsa nga Pfizer na vijnë 30 mijë të tjera po në prill”