Tre muaj pasi drejtuesit e “Top Channel” pushuan nga puna spikerin e njohur të lajmeve kryesore dhe të mbrëmjes, Arben Mevlani, në Gjykatën e Tiranës është depozituar një padi nga Mevlani. Padia e regjistruar në datën 8 shtator është ngritur nga ai, pasi nuk mori asnjë arsye të dokumentuar nga ky televizion se cila ishte arsyeja e largimit të tij nga puna, ku jepte lajmet prej një dekade. I pyetur nga gazeta “Panorama” për këtë padi, Arbeni nuk pranoi të jepte të tjera sqarime, duke u mjaftuar me faktin se tashmë ia ka lënë në dorë drejtësisë. Në objektin e çështjes me nr.13503 kërkohet nga paditësi Mevlani detyrimi i palës së paditur, pra “Top Channel”, së pari ta dëmshpërblejë për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme, pa shkaqe të justifikuara, pa respektuar procedurat dhe afatin e njoftimit. Së dyti, Mevlani kërkon me anë të këtij gjykimi që të shpërblehet për vjetërsi në punë. Ndërkohë, pas tre muajve të verës pushim, Mevlani pohon se në këtë fillim sezoni të ri televiziv po përgatitet të nisë punë si spiker lajmesh në ekranin e “ABC News”. Ai është ndër të parët imazhe të “TCH”, pas ofertës së marrë nga pronari i ndjerë, Dritan Hoxha. Kjo nuk është hera e parë që televizioni “Top Channel” përballet në Gjykatë më ish-punonjës të stafit. Përballja e fundit ishte me ish-moderatorin e “Fiks fare”, Saimir Kodra, por paditësi në këtë rast ishte “Top Channel” për largimin e paralajmëruar të Saimirit në një tjetër ekran.
Burimi | Panorama