Sipas revistes moderatores së njohur të Top Channel, Arbana Osmani i është ofruar prezantimi i Festivalit të Fundvitit të RTSH-së dhe oferta ka qënë…Le të themi që është oferta më e madhe ofruar ndonjëherë ndonjë personaliteti televiziv nga ky Festival.
Nuk dihet ende nëse Arbana do të pranojë të dalë për herë të parë nga “shtëpia” e saj Top Channel dhe të shfaqet në ekranin publik. Që në krijimet e tij, Top-i ka qënë gjithmonë shumë strikt me ekspozimin e figurave të tij më të rëndësishm jashtë këtij televizioni dhe me përjashtime të rralla, asnjë moderator nuk është lejuar që të shfaqet qoftë edhe si i ftuar në talk-show të ekraneve konkurrente.
Por një ekran publik dhe jo-konkurrent si RTSH dhe fakti që tashmë televizioni është nën drejtimin e qeverisë së majtë – qeveri shumë miqësore me Top Channel – mund t’i shtyjë drejtuesit e ekranit ku Arbana “mbretëron” si drejtuese e programeve me shikueshmërinë më të lartë, që të rimendojnë rregullin e tyre.
Që nga prezantimi tepër i natyrshëm i çiftit Elsa Lila dhe Pirro Çako në Festivalin e 46-të, për hir të së vërtetës, në skenën e këtij festivali vitet e fundit nuk ka pasur prezantim mbreslënës. Nëse dikur ky rol i jepej vazhdimisht një prezantuesi të mirëfilltë spektaklesh të mëdha, si moderatorit të famshëm Adi Krasta, më pas një strategji e re për të “modernizuar” dhe për të thithur audiencë, kërkoi që fytyrat e festivalit të ishin këngëtarët më të nxehtë të momentit në këngë, por që fatkeqësisht e humbnin shkelqimin sapo nisnin të flisnin, në mungesë të lirshmërisë dhe përvojës.
Fakti që këtë vit, drejtori i RTSH-së, Martin Leka ka guxuar të “hedhë grepin” tek një prej moderatoreve më të mira në Shqipëri, mund të ndezë një fije shprese se RTSH ka “vënë mend” nga zgjedhjet e gabuara të njëpasnjëshme. Por edhe nëse Arbana Osmani do ta pranonte ofertën, duhet të kuptohet që kjo nuk është e mjaftueshme për ta kthyer këtë festival në treg.
Si fillim duhet të shtohen prurjet artistike dhe të rikthehen emrat e njohur. Dy vitet e fundit, Festivali ka provuar interesimin më të ulët jo vetëm të publikut por edhe të këngëtarëve, numri i pakët i të cilëve ka dëshmuar se edhe pjesëmarrja në Eurovizion, nuk është më aq joshëse sa dikur.
E dini ju që nëse Arbana Osmani pranon të jetë prezantuese e festivalit të RTSH-së, ajo do të jetë moderatorja e dytë në Top Channel që merr pjesë drejtimin e këtij eventi. Alban Dudushi, përpara se të niste punën si gazetar në Top Channel, ishte bashkë-prezantues në Festivalin e 40-të të Këngës në RTSH së bashku me Ornela Bregun.
Që të dy pas këtij prezantimi në vitin 2001, shkuan në Top Channel. Albani vijoi me moderimin e emisionit gazetaresk “Ora Zero”dhe më pas me Top Shoë, ndërsa Ornela Bregu u zgjodh si prezantuese e sezonit premiere të “Portokalli”.