Moderatorja e njohur e Top Channel, Arbana Osmani, deklaron se është shtatëzënë, gjatë intervistës në emisionin “Jamais Vu’” të gazetarit Mustafa Nano. Gjatë intervistës, e cila do të transmetohet këto ditë në Oranews, mësohet se ajo është shprehur e lumtur për këtë lajm të bukur për familjen e saj.
Prej kohësh qarkullonin lajme për një shtatëzani të mundshme të moderatores së “Big Brother” dhe “E diell” , por Arbana vendosi ta pranonte këtë vetëm gjatë kësaj interviste, e para në një ekran tjetër për prezantuesen dhe gazetaren “ e rritur” në televizionin Top Channel.
30-vjecarja Osmani prej shumë vjetësh është e martuar me bashkëshortin e saj Ardit Kero. Pasi stabilizoi emrin e saj si moderatorja më e lakmuar e ekranit të Top-it, me suksese të njëpasnjëshme në drejtimin e disa programeve me shikueshmëri të lartë, ajo gjykoi se ishte koha e duhur për t’iu kushtuar mëmësisë.
Arbana ka vendosur ta shijojë me kohë të plotë shtatëzaninë e saj dhe do të shkëputet plotësisht gjatë këtij sezoni nga ekrani I Top Channel.
Ndërkohë ende nuk dihet se kush do të prezantojë këtë sezon të “E diell”. Vitin e kaluar, Arbana e prezantoi së bashku me kolegët dhe miqtë e saj, Ledion Lico dhe Xhemi Shehu. Për koincidencë edhe Xhemi Shehu është shtatëzënë për herë të dytë dhe nuk do të mund ta prezantojë, pasi do t’i duhej ta braktiste programin ne mes të sezonit.
Por kurioziteti më i madh do të jetë për emisionin “Big Brother”, me të cilën Arbana Osmani është identifikuar këto 7 vitet e fundit. Si prezantuesja e një prej programeve me shikueshmërinë më të lartë në televizonet shqiptare, ajo mori edhe më shumë famë dhe u konsolidua si një prej figurave më të pëlqyera dhe një prej moderatorëve më të zotë në programe të tipit show. Nëse do të ketë një “Big Brother 8”, lajmi më i shumëpritur do të jetë pikërisht zëvendësimi i Osmanit.
Burimi | Anabel