Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë të drejtë Endira Bushatit, duke hequr masën e pezullimit nga detyra që kish dhënë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë
Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke miratuar kërkesën e ish-kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, Endira Bushati, për heqjen e pezullimit të saj nga posti që mbante deri pak muaj më parë. Në këtë mënyrë, sipas vendimit të Apelit, Bushati mund të rikthehet në detyrën e saj në krye të AMA-s. Gjykata e Shkallës së Parë kishte pranuar një kërkesë të Prokurorisë për të zgjatur edhe tre muaj pezullimin e Bushatit në krye të AMA-s, pasi po hetohej për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë që Avokati i Bushatit, Besnik Cerekja e ankimoi vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit dhe gjatë ditës së djeshme trupa gjykuese i dha të drejtë Bushatit. “Unë do të rikthehem në detyrë dhe do të rivlerësoj qëndrimin tim në raport me ato çfarë po ndodhin. Procedurat që po ndodhin për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të KD-së janë absolutisht në kundërshtim me ligjin. Është e detyrueshme prania e opozitës”, – është shprehur Bushati. Përsa i përket hetimit të prokurorisë ndaj saj, Bushati tha se ai mund të vazhdojë ndërkohë që ajo ushtron detyrën e saj. “Pezullimi nga detyra është një masë sigurimi me karakter ndalues dhe ishte marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për të përshpejtuar veprimet e Prokurorisë, e cila më ka vënë nën hetim për moskallëzim të piraterisë. Hetimet mund të vazhdojnë duke qenë unë në detyrë”,- tha Bushati. Ky vendim i shkallës së dytë të gjyqësorit vështirëson punët për mazhorancën parlamentare, e cila nga ana tjetër ka shpallur vakant vendin e kreut të AMA-s dhe për plotësimin e të cilit ka nisur një proces parlamentar duke zgjedhur edhe 4 kandidatët që do të votohen në parlament. Por sipas nënkryetarit të Komisionit të Medias, Alfred Peza, ky vendim i Gjykatës së Apelit nuk ka asnjë efekt në vendimmarrjen e Parlamentit, duke paralajmëruar kështu vijimin e procedurës për zgjedhjen e kreut të ri të AMA-s. “Sot, (dje) Gjykata e Apelit Tiranë ka marrë një vendim për të hequr masën e pezullimit nga detyra për kryetaren e AMA-s, znj. Endira Bushati, mbi bazën e një kërkese të organit të Prokurorisë. Vendimi i pezullimit të saj nga detyra ishte marrë disa javë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, për shkak të një çështjeje ndaj saj nga organi i akuzës. Por ky vendim i sotëm nuk ka lidhje, ndaj edhe nuk e cenon vendimin e disa muajve më parë të Parlamentit për shpalljen e vendit vakant të kryetarit të AMA-s. Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të AMA-s është drejt kurorëzimit përfundimtar. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik tashmë ka përzgjedhur 4 kandidaturat zyrtare dhe ia ka përcjellë ato Parlamentit. Mbetet vetëm që seanca plenare e Kuvendit të votojë për kryetaren/in e ri të AMA-s, që do të zëvendësojë në këtë detyrë znj. Endira Bushati”, – shkruan Peza në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Marrë nga Mapo