Për Tv Klan kjo mund të shihet si arritje e madhe, pasi në vite i ka munguar spektakli i humorit. Ndërsa për Vizion Plus duket se largimi i “Apartamenti 2XL”, nuk e dëmton këtë televizion, për vetë faktin se aty janë ende edhe dy show të tjera humori. Çdo të shtunë është spektakli “Al Pazar” nga Agron Llakaj dhe çdo të diel, “By Pass Show” nga Agim Bajko
Në mes të sezonit televiziv, një program humori i Vizion Plus vendos të shkojë në Tv Klan.
Emisioni humoristik “Apartamenti 2XL” që transmetohet të martave në mbrëmje në Vizion Plus, duke nisur nga muaji shtator do të jetë pjesë e televizionit Klan.
Edhe pse është mes i sezonit, trupa prodhuese e këtij programi ka vendosur të hyjë në negociata me pronarin e Klan, Aleksandër Frangaj dhe kanë rënë dakord që të bëhen pjesë e këtij televizioni duke nisur nga sezoni i ri televiziv.
Mendohet se largimi nga televizioni kombëtar Vizion+ në Tv Klan bëhet për arsye financiare, ku në kuadrin e konkurrencës, Klan i ka ofruar më shumë pagë mujore dhe benefite të tjera, aktorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të këtij emisioni humoristik.
Për Tv Klan kjo mund të shihet si arritje e madhe, pasi në vite i ka munguar spektakli i humorit. Të pakta kanë qenë hapësirat e humorit në Tv Klan që nga lindja e tij më 1998 ose 20 vjet më parë, kur u ngrit nga biznesmeni Marsel Skëndo dhe ortaku i tij francez, Zhyljen Roshe (Julien Roche).
Ndërsa për Vizion Plus duket se largimi i “Apartamenti 2XL”, një prodhim i Tring, nuk e dëmton këtë televizion, për vetë faktin se aty janë ende edhe dy show të tjera humori.
Çdo të shtunë është spektakli “Al Pazar” nga Agron Llakaj dhe çdo të diel, “By Pass Show” nga Agim Bajko.
Nuk dihet nëse “Apartamenti 2XL” do të pësojë ndryshime me daljen në Tv Klan dhe nëse do të pasurohet edhe më tej trupa e aktorëve dhe prodhimit të këtij programi.
Largimi i “Apartamenti 2XL” nga Vizion Plus vjen pak ditë pasi një ndër pjesëtarët e tij, Turjan Hyska u fut në negociata me pronarin e Klan, Aleksandër Frangaj. Mediat shkruajnë se Hyska ka marrë premtim që të bëhet drejtor ekzekutiv i Klan Plus, edhe ky në pronësi të Frangajt.
Hyska më herët kishte prodhuar dhe drejtuar disa emisione në Vizion Plus, si “Mos u nxeh”, “Oktapod” dhe “Falko”. Ato janë mbyllur, mesa duket pasi suksesi i tyre ka qenë jo në kuotat e dëshiruara nga televizioni transmetues. /noa.al/