Anxhelina Hadërgjonaj ka realizuar një intervistë nëpërmjet linjës telefonike me programin “Pardon My French” në Top Albania Radio ku ka folur rreth pauzës dhe rikthimit të saj në muzikë.
Duke u ndalur te periudha e gjatë e pushimit në muzikë, ajo thekson se kjo ka ndodhur për arsye se dëshironte më të mirën e mundshme dhe jo këngë komerciale.
“Nuk kam dashur të bëja kompromise. Doja që të vija me projekte të cilat nxjerrin në pah vërtetë vlerat e mia si artiste. Në SHBA është e vështirë të jesh komerciale. Nëse do të bësh muzikë të mirë duhet të presësh momentin e duhur. Ndryshe nga Shqipëria ku ti shkon në studio e dëgjon një demo, këtu duhet shumë më tepër punë. E sigurisht duhet që të vija me projekte të cilat janë në një stil të veçantë.”
Sa i përket të ardhmes, Anxhelina tregoi se do vijë me shumë projekte, mes të cilave disa bashkëpunime me artistë të huaj. Ndërkohë, këngëtarja ka pranuar se do kishte dëshirë të bashkëpunonte edhe me artistë shqiptarë, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.
“Të huaj kam diskutuar… shqiptarë do të doja shumë se ka shumë artistë shqiptarë që më pëlqejnë vërtetë dhe i dëgjoj këngët e tyre shumë shpesh.”
Kujtojmë se Anxhelina u rikthye pas 9 vitesh mungesë në muzikë me një këngë të re “Precious”. Ky projekt muzikor rezultoi i suksesshëm dhe Anxhelina vërtetoi se publiku ja kishte ndjerë realisht mungesën. Pak ditë më pas këngëtarja lançoi “No Drama”, që po ashtu u pëlqye shumë.