Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti etj.), sipas gjetjeve të anketës të përbashkët të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për “Demografinë dhe Shëndetin” të zhvilluar në vitin 2018 te 15800 persona.
Studimi i thelluar që u bë vitin e kaluar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me INSTAT mbi gjendjen shëndetësore të popullatës evidentoi se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin. Kjo do të thotë se të sëmurët janë me të shumtë se në statistika.
Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur. Në vitin 2017 ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura. Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit. Sipas anketës së vitit 2018, prevalenca e hipertensionit është 24.3% për femrat kundrejt 20% më 2008, për meshkujt është rritur me rreth 10 pikë përqindje në raport me 2008. Qarku i Fierit ka numrin më të madh të meshkujve me hipertension.
Anketa gjeti një gjendje të rënduar të shëndetit mendor. Rreth 70% e te anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.
KrahasimI me të dhënat e 2018-s për shëndetin e popullatës tregon se obeziteti është rritur më tej për femrat. Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë ishte 53% në vitin 2018, e njëjtë si në vitin 2008, ndërsa përqindja e femrave mbipeshë ose obezë është rritur nga 39% në 2008 në 45% në vitin 2018.
Ekspertët e institutit të Shëndetit Publik pohojnë se, sfida e kohës është të zvogëlohen faktorët e rrezikut që lidhen kryesisht me ushqyerjen, dietën dhe aktivitetin fizik, duke u kushtuar vëmendje të veçantë vajzave dhe grave, teksa është vënë re rënie e lehtë e konsumit të duhanit dhe alkoolit. Studimi për shëndetin e popullatës evidentoi se shqiptarët nuk janë konsumatorë të rregullt të frutave dhe perimeve dhe nuk ushtrojnë aktivitet fizik.
Hipertensioni i nëndiagnostikuar
Nga 2008 më 2018, prevalenca e hipertensionit të matur u rrit nga 20% në 24% në mesin e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe nga 28% në 38% tek meshkujt në të njëjtën grupmoshë. Hipertensioni është shkaktari kryesor për sëmundjet e zemrës, gjithashtu dëmton trurin, duke shkaktuar vdekje ose dëmtim të përhershëm fizik. Të anketuarit u pyetën nëse kishin marrë ndonjëherë diagnoza nga një profesionist shëndetësor për hipertension. 13% e grave raportuan se janë diagnostikuar me tension të lartë para sondazhit, ndërsa 4% e burrave të së njëjtës moshë raportuan se kanë marrë diagnozë.
Por anketa për shëndetin e popullatës u shoqërua me matje të drejtpërdrejta ne terren, dhe u gjet se rastet me hipertension ishin shumë të larta se diagnozat e raportuara nga të pyeturit. Hipertensioni i matur gjatë anketës ishte prezent në 24% të grave dhe 38% e meshkujve të moshës 15-49 vjeç.
Matjet e hipertensionit në anketë gjetën se vetëm 1/4 e grave të dhe 1/5 e burrave kishin qenë më parë diagnostikuar me hipertension.
Përhapja e hipertensionit bazuar në diagnozat mjekësore të mëparshme rritet ndjeshëm me moshën. Gratë me status arsimor të përparuar kanë qenë më të prira për të marrë diagnozë nga mjekët profesionistë të fushës në raport me gratë me arsim fillor, por kjo ndasi nuk është shumë e madhe për meshkujt e së njëjtës grupmoshë.
Konsumojmë rregullisht pije të dëmshme me sheqer të shtuar
Pije të buta dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri të shtuar krijojnë mjaft probleme në shëndet. Acidet dhe sheqernat që gjenden në lëngjet e buta industriale bëhen shkak për kariesin dentar dhe erozionin e smaltit të dhëmbëve. Shumë studime kanë gjetur se konsumi i madh i lëngjeve të buta krijon obezitet tek fëmijët dhe adoleshentët, duke u bërë një nga shkaktarët më të mëdhenj të diabetit në moshat e reja.
Për të vlerësuar nivelin e konsumit të pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit, të anketuarit u pyetën nëse kishin pirë lëngje të buta me sheqer të shtuar 7 ditë para sondazhit. Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, 25% kishin pirë 1 ose 2 pije të buta, 32% kishin pirë 3 deri në 6 nga këto pije, 6% kishin pirë 7 ose më shumë dhe 36% raportuan se nuk kishin pirë pije me sheqer gjatë 7 ditëve të fundit.
Konsumi i pijeve me sheqer është pak më i zakontë te meshkujt e kësaj grup-moshe, pasi 17% kishin pirë 1 ose 2 pije me sheqer gjatë 7 ditëve, 30% kishin pirë 3 deri në 6 herë në javë, 10% kishin pirë gjatë shtatë ditëve dhe 42% raportuan se nuk kanë pirë pije me sheqer në 7 ditët e fundit. Konsumi i pijeve të buta është më i shpeshtë te moshat e reja në shtresën me arsim të ulët, si për meshkujt edhe për femrat. Personat me arsim fillor pinin pije me sheqer thuajse gjatë 7 ditëve të javës.
Konsumi i yndyrave, 90% përdorin vaj vegjetal, 6% gjalpë
Në terma të përgjithshëm, gatimi me vajra bimorë është ipreferueshëm, pasi ato kanë përmbajtje më të lartë të yndyrës së ngopur, ndërsa vajrat vegjetalë kanë përmbajtje më të ulët. Marrja e yndyrave të ngopura shoqërohet me rritje të rrezikut të sëmundjeve jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet koronare të zemrës, obezitetin dhe diabetin. Mund të përmendim disa vajra bimorë si vaji i palmës, vaji ikokosit, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të yndyrave të ngopura.
Për të vlerësuar konsumimin e vajrave dhe yndyrave, të anketuarit u pyetën se çfarë lloj vaji ose yndyre përdornin më shpesh gjatë gatimit. Rreth 91% e gratë dhe 86% e burrave të moshës 15-49 vjeç raportuan se vaji i perimeve është lloji më i përdorur. Gjalpi përdoret më pak, në 6% të rasteve. Konsumi i gjalpit është më i lartë në zonat rurale. Konsumi i yndyrave të kafshëve, i cili mbart një potencial më të lartë rreziku, është më i pranishëm në popullsinë e Dibrës dhe Kukësit dhe Shkodrës. Gjithashtu u evidentua se gjalpi gjen përdorim gjithnjë e më të ulët në shtresat më të ardhura të larta.
Frutat dhe perimet, vetëm 37% e grave dhe 14% e burrave i konsumojnë rregullisht
Studime të shumta tregojnë se konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve lidhet me reduktimin e rreziqeve të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjes së Alzheimerit. Konsumi i frutave dhe perimeve ofron ndër të tjera përfitime shëndetësore edhe në parandalimin e sëmundjeve kronike. Në terma të përgjithshëm rekomandohet konsumi i tre ose më shumë frutave dhe tre ose më shumë perimeve në ditë sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë.
Për të vlerësuar modelet e konsumimit të frutave dhe perimeve, të anketuarit u pyetën nëse kishin konsumuar fruta dhe perime në ditën para studimit dhe se çfarë frutash ose perimesh kishin konsumuar. 37% e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe 14% e meshkujve kishin marrë sasinë e rekomanduar të frutave (tre ose më shumë të tilla në ditën para studimit. Pak më shumë se 80% e burrave dhe grave kanë konsumuar 1 deri në 3 lloje perimesh në ditë, por vetëm 7% e grave dhe 3% e meshkujve të moshës 15-49 kishin konsumuar numrin e rekomanduar të perimeve (katër ose më shumë) në ditën para studimit.
Numri i rekomanduar i frutave (tre ose më shumë lloje) në ditën para studimit u konsumuan më së shumti në zonat urbane (40%) se sa në zonat rurale (32%). Konsumi i frutave gjithashtu gjen rritje në mesin e njerëzve të arsimuar dhe ata me nivel më të lartë të pasurisë.
Rekomandohet që adoleshentët aktivë dhe të rriturit, që konsumojnë rreth 2,200 kalori në ditë, të kenë në regjimin e tyre ushqimor katër lloje perimesh dhe tre lloje frutash. Vetëm 5% e femrave dhe 2% e meshkujve 15-49 vjeç kishin konsumuar numrin e rekomanduar të frutave dhe perimeve një ditë para studimit.
Studimi vërejti se konsumi i frutave dhe perimeve ndryshon sipas qarkut. Në prefekturat e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Korçës, më pak se 1% e grave dhe 0% e meshkujve kishte kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve, ndërsa në Dibër, 13% e femrave dhe 12% e meshkujve, dhe në Kukës, 14% e femrave dhe 18% e meshkujve, kishin kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve.
Burimi: Monitor