Andi Bushati në një shkrim te blogu i tij, komenton kërkesën e prokurosisë për arrestimin e pronarit të Agon Channel, Francesco Beccheti.
Sipas Bushatit, për të njohur Becchetin, mjafton të shohësh emisionin “Kontrata” që ka bërë Sonila Meço me të.
Ai thotë se nuk ka gjë më të shëmtuar.
“Francesco Becchetti nuk është një shenjt. Aq më pak një bamirës. Nëse çdo njeri kurioz kërkon të informohet për të, mjafton të kërkojë në You Tube emisionin kontrata të Sonila Meços. Nuk ka ngjarje më të shpifur gazetareske. Nuk ka lëpirje më të shëmtuar përballë një pronari bos, të cilit i sillen në studio njerëzit, të cilëve u ka paguar kurimin e fëmijëve, për të treguar sesa human dhe zemërgjerë është. Mjafton të shihen këto pamje, që të ngjallin krupën, për të kuptuar profilin e një njeriu, raportin e tij me mediat dhe gazetarët e mbi të gjitha konceptin e tij për imazhin e njeriut të pasur, që i ngjan më shumë atij të personazheve të Francis Ford Coppola-s.
Francesco Becchetti nuk është as investitori shembullor, që i vjen Shqipërisë nga përtej Adriatikut. Investimi i tij më i madh, ai i Hidocentralit të Kalivaçit është një punë e pakryer prej 20 vitesh. Atje kantieri qëndron në heshtje, punëtorët janë të papaguar dhe Becchetti më shumë i ngjan një spekulanti, që di të fitojë para përmes avokatëve të zotë (159 milionë të fituara në këtë aferë pas një gjyqi me Deutche bank), sesa dikujt që ka ambicie reale për të investuar në këtë vend”, shkruan Bushati.
Megjithatë, ai ngre pikëpyetje për kërkesën e arrestimit.
Sipas Bushatit, nuk ka prova të qarta se Beccheti ka kryer pastrim parash.
Bushati thotë se goditja ndaj Becchetit vjen në një kohë kur televizioni i tij është shumë opozitar me qeverinë.
b.l