Nisma e qeverisë për një amnisti fiskale e penale do t’i japë mundësinë të gjithë shqiptarëve të legalizojë pasurinë e ardhur nga puna, me parakushtin që nesër penalizimet do të jenë shumë më të forta.
Synimi i amnistisë fiskale e penale është çlirimi i një kapitali që prej kohësh qëndron i fjetur e që mund të japë një ndikim mjaft pozitiv ekonomisë në këtë moment të vështirë për shkak të tërmetit të fortë që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar, por edhe për shkak të pandemisë.
Ekspertët thonë se Shqipëria ka nevojë për një amnisti të plotë fiskale e penale për të nisur një epokë të re të funksionimit në bazë të rregullave.
“Ende sot kemi një ekonomi informale, për shumë arsye. Një pjesë e mirë e bizneseve kanë punuar me atë që quhet bilanc të dyfishtë. Duke përforcuar institucionet dhe duke amnistuar kemi një vit zero. Ata që deklarojnë nga ky moment e më tutje do të kenë mundësinë të gëzojnë pronën e tyre pa patur një përgjigje të ligjit nesër, nëse vërtetohet që kjo që amnistohet nuk është si pasojë e burimit të paligjshëm të të ardhurave”, është shprehur deputetja Blerina Gjylameti.
Sipas Gjylametit, më parë kishte amnisti fiskale, por jo penale. “Nuk falen vetëm detyrimet e papaguara, por hiqet dhe pjesa e dënimit, 7 vite burg që parashikon sot ligji. Ti legalizon lekët dhe nuk dënohesh për këtë”, ka theksuar ajo.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ashpërsim të sanksioneve për këdo që gjendet në shkelje të ligjit pas përfundimit të afatit të amnistisë.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike thotë se qeveria po fshihet pas pretendimit se po ndihmohen gjoja emigrantët, por në fakt do të pastrojnë paratë përmes akteve kriminale të kësaj qeverie në ikje.
“Emigrantët shqiptarë që jetojnë me sakrifica dhe punë të ndershme nuk përfitojnë nga ky ligj, sepse ai nuk po bëhet për emigrantët, por për trafikantët ndërkombëtarë të drogës”, thuhet në deklaratën që ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku bëri pak ditë më parë.
Projektligji “Për amnistinë fiskale e penale”, i hartuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, i cili ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend krijon premisat për një amnisti fiskale dhe penale me një afat 1-vjeçar, për subjektet, të cilat do të mund deklarojnë vullnetarisht pasuritë, me qëllim të ligjësimit të tyre dhe të formalizimit të aktiviteteve të krijuara gjatë 30 viteve të fundit.
Për të nxitur këtë proces, subjektet përfituese do të tatohen me 5% të shumës totale të deklaruar nëse e bëjnë aplikimin brenda katër muajve të parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas kjo shkallë tatimi rritet në 7% për katër muajt e dytë dhe në 10% për katër muajt e tretë. Po ashtu do të ndërpritet çdo proces gjyqësor apo gjobat dhe kamat e lidhura me këto pasuri.
Funksionarët dhe politikanët janë tërësisht të përjashtuar nga amnistia fiskale.
Nga kjo amnisti nuk do të mund të përfitojnë të zgjedhurit vendorë, ish-funksionarët dhe familjarët e tyre. Po ashtu përjashtohen subjektet e ligjit të krimit të organizuar, pastrimit të parave apo personat e shpallur në kërkim për terrorizëm apo financimin e terrorizmit.