Ambasada gjermane në Shqipëri, ka ndarë mesazhin e ambasadorit Peter Zingraf, i cili shprehet i shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë. Më tej ai shprehet se për Klodianin, duhet të vendoset drejtësi, por ashtu sikurse ambasadorët e tjerë, Zingraf, ka shpërndarë të njëjtin mesazh: dhuna, nuk është zgjidhje.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.
Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”.
Pak më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, po kështu edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, folën në të njëjtën gjuhë, ku thanë se shqetësimet duhet të shprehen në mënyrë paqësore, dhe se dhuna nuk jusfitikohet.
Në të njëjtën linjë me diplomatët e huaj në vendin tonë ka qenë dhe ambasadori i britanik, Duncan Norman.
“I shprehim solidaritin dhe ngushëllimet familjes së Klodian Rashës. Drejtësia duhet të vendoset. Dhe duhet parë se po vendoset. Ne e kuptojmë pse njerëzit janë të zemëruar dhe mbështesim të drejtën për protestë paqësore. Le t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore”, shkruan Norman.