Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e përmbushjes së detyrimeve ligjore për monitorimin e transmetimeve të subjekteve audiovizive, ka konstatuar së fundmi dhe emetimin e përmbajtjeve si reklama të fshehura, ku protagonistë janë mjekë apo institucione shëndetësore. Në këto transmetime evidentohet në thelb fakti se mjeku apo institucioni shëndetësor është “më i miri në ofrimin e shërbimit”, duke ndikuar në sugjestionimin e publikut, duke zbehur dhe humbur besimin e pacientëve tek specialistë apo struktura të tjera.
Referuar ligjit 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, neni 42, komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla.
Në adresë të AMA-s kanë mbërritur dhe ankesa për këtë fenomen nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, pasi sipas kësaj organizate qëndrime të tilla të mjekëve apo përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore bien ndesh dhe me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.
Referuar këtij Kodi, në nenin 60, pika 3: “Është e ndaluar për mjekun të merret me reklamë a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor dhe edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekur nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal apo të një institucioni të caktuar”.
AMA kërkon mirëkuptimin e subjekteve audio dhe audiovizive që të evitojnë transmetimin e përmbajtjeve të tilla, që janë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të interesave të publikut. Për rastet që do të kontatohen në vijim do të ndiqen procedurat për sanksione sipas kuadrit legjislativ në fuqi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë më 28 shkurt 2017