AMA mbledh për herë të parë të gjithë operatorët mediatikë dhe agjiencitë e reklamave për trajtimin e problematikave të shfaqura nga procesi i matjes së audiencës televizive. Në këtë takim u ngritën shqetësime për të dhënat kontradiktore të ofruara nga kompanitë e audiencës dhe mungesa e transparenca mbi procedurat e ndjekura. Në takim morën pjesë edhe perfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Për herë të parë Autoriteti i Mediave Audiovizive mbledh në një tryezë të gjithë aktorët mediatikë në Shqipëri për të diskutuar e vendosur rregulla për mënyrën e funksionimit të tregut përballë ndikimit dhe informacioneve të nxjerra nga kompanitë e audiencës. Operatorët mediatikë kanë kujtuar në këtë takim se i takon AMA-s, si detyrim ligjor për të bërë rregullimin dhe shmangur abuzimet sa i përket shifrave të publikuara të audiencës. Pjesë e këtij takimi ishin edhe agjencitë publicitare dhe përfaqësues të 2 kompanive që masin audiencën në vendin tonë. Nga ana e agjencive të marketingut u ngrit shqetësimi se të dhënat e audiencës që serviren nga dy kompanitë kanë përplasje edhe njëra me tjetrën. Ky fakt u pranua edhe nga kompanitë e audiencës.
Sa i përket zgjidhjes së kësaj situate, në takim u propozua që të ndërtohet një sistem i përbashkët, për matjen e audiencës ku pjesë e bordit të jenë si operatorët mediatikë ashtu edhe AMA, që është institucioni që duhet të rregullojë këtë treg. I pranishëm në aktivitet, drejtori i AMA-s, Gentjan Salaj, u shpreh se ky takim i shërben të gjithë aktorëve që janë pjesë e tregut.
Në këtë takim të parë ishin edhe përfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. AMA është treguar e vendosur për rregullimin e tregut, duke pohuar se për të zbatuar këto propozime duhet një angazhim i të gjitha palëve dhe ekspertizë ndërkombëtare. Për këtë u njoftua që shumë shpjet do të mbahet edhe një takim i dytë për të diskutuar hapat e mëtejshëm.
s.k/Shqiptarja.com