Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi sot më datë 17 shtator 2019, tryezën e diskutimit, me temë “Fëmijët dhe reklamat në median audiovizive”. Ky takim zhvillohet në funksion të zbatimit të prioriteteve të AMA-s por edhe të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2019.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin deputetë, përfaqësues të grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, nga OSHMA-të, organizatat jo qeveritare që kanë në fokus të punës së tyre liritë dhe të drejtat e fëmijëve, nga institucionet publike, ekspertë të fushës, etj.
Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte krijimi i një hapësire të dobishme për të diskutuar me të gjithë grupet e interesit, mbi aspekte të mbulimit në reklamat audiovizve të problematikave që lidhen me fëmijët.
Zëvendëskryetari AMA-s, z. Sami Nezaj që në hapje të tryezës theksoi rëndësinë që ka adresimi i duhur i çështjeve që lidhen me të drejtat e fëmijëve sidomos mbrojtja e tyre nga përmbajtja e dëmshme mediatike. Kodi i Transmetimit dhe akte të tjera nënligjore të miratuara nga Autoriteti, janë akte shumë të dobishme që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e raportimit për fëmijët por edhe të hapësirave reklamuese të subjekteve audio dhe audiovizive, tha z. Nezaj.
Përfaqësuesja nga Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Znj. Blerina Gjylameti, pasi përshëndeti iniciativat e fundit të AMA-s për veprimtari sensibilizuese për mbrojtjen e të miturve, shprehu gatishmërinë për të intensifikuar kontributin e Kuvendit të Shqipërisë dhe posaçërisht të Grupit “Miqtë e Fëmijëve” në përmirësimin e klimës mediatike dhe koordinimin më të mirë mes institucioneve publike dhe shoqërisë civile.
Z. Arben Muka, Drejtor në Drejtorinë e Programeve, në AMA, prezantoi aspekte të angazhimit të institucionit, duke nxjerrë në pah proceset e shqyrtimeve analitike të përmbajtjeve të emetuara, si dhe të të gjitha ankesave që mbërrijnë. AMA është e vëmendshme edhe për përmirësimet e kuadrit rregullator që të reflektojnë dukuri dhe problematika konkrete që evidentohen nga transmetimet e përmbajtjeve audio dhe audiovizive.
Kryetari i Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, z. Urim Bajrami, njohu të pranishmit me procedimin e Këshillit për ankesat që vijnë nga individët apo subjektet duke pasur përparësi ato që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve. Ai paraqiti një përmbledhje të punës së këtij Këshilli dhe të ankesave të shqyrtuara, ku 40% e tyre kanë si subjekt fëmijët. Z. Bajrami përmendi dhe pjesë të Kodit të Transmetimit mbi reklamat dhe fëmijët.
Diskutimi u përqendrua te koordinimi i institucioneve në evidentimin e rasteve të shkeljes së Kodit të Transmetimit si dhe mundësinë e organizimit të fushatave të informimit dhe ndërgjegjësimit me redaksitë audiovizive por edhe me vetë prindërit dhe komunitetin e fëmijëve.
Marre nga AMA