Ditën e premte, 25.09.2020, në mjediset e AMA-s u zhvillua një takim pune mes autoriteteve rregullatore të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kryetari AMA-s, z. Gentian Sala dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së (Komisioni i Pavarur i Medias në Kosovë), z. Luan Latifi përmendën bashkëpunimin dhe komunikimin sistematik të institucioneve, në shërbim të konsolidimit të performancës institucionale për rregullimin e tregut audioviziv. Kalimi i transmetimeve nga analogu në digjital dhe aplikimet e reja teknologjike mbeten aspekte ku AMA dhe KPM kanë energji dhe hapësira për të intensifikuar më shumë shkëmbimin e informacionit dhe përvojave, bazuar dhe në praktikat e rregullatorëve në vendet e BE-së.
Dy drejtuesit e institucioneve trajtuan dhe rolin e impaktin e transmetimeve përtej kufirit, ku transmetimet e subjekteve audiovizive nga Shqipëria ndiqen në territorin e Republikës së Kosovës, dhe anasjelltas dhe për subjektet nga Kosova në Shqipëri. Për trajtimin e problematikave që krijohen, për ankesa të ndryshme të qytetarëve nga të dy vendet, u pa mundësia e realizimit të shkëmbimit të informacionit nga dy institucionet për zgjidhjen më të shpejtë dhe profesionale të tyre.
Shkëmbimi i komunikimit virtual mes dy institucioneve ishte një pikë tjetër e takimit, e cila u vlerësua si mekanizëm në favor të intensifikimit të bashkëpunimit dhe mbulimit të angazhimeve me interes të ndërsjelltë. Kjo do të konkretizohet shumë shpejt me instalimin e linqeve në faqet respektive zyrtare online të AMA-s dhe të KPM-së.