Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në vijim të shpalljeve të publikuara për plotësimin e vendeve vakantë në Këshillin e Ankesave, në mbledhjen e bordit të datës 04 Prill 2016, miratoi emërimin znj. Monika Stafa për pozicionin e Kryetarit, si dhe emërimin e z. Urim Bajrami për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Ankesave, pranë AMA-s. Më herët AMA kishte votuar për z. Erald Kapri, si anëtar i këtij Këshilli.
Roli i kësaj strukture, tashmë të plotësuar, do të jetë mbikëqyrja e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.
KËSHILLI I ANKESAVE
Ligji nr. 97/2013 “ Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përcakton se Këshilli i Ankesave caktohet nga AMA me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga:
Kryetari i Këshillit të Ankesave dhe dy anëtarë të Këshillit të Ankesave, specialistë të fushës së medias.
Kryetari dhe anëtarët emërohen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë.
Këshilli i Ankesave ka për objekt të punës mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.
Funksionet kryesore të Këshillit të Ankesave, në përmbushje të objektit të punës së tij:
të mbikëqyrë zbatimin e kodeve dhe rregulloreve nga OSHMA-të dhe RTSH-ja, sipas përcaktimeve të ligjit;të shqyrtojë ankesat e publikut;Të ndjekë në mënyrë periodike masën, në të cilën programet e një transmetuesi të huaj, të cilët tërësisht ose kryesisht u drejtohen spektatorëve në Republikën e Shqipërisë ekskluzivisht për qëllime informative, përputhen me kodet e transmetimit;të organizojë anketime të publikut për problemet etike të programeve. Përfundimet që nxjerr nga studimi i anketimeve dhe nga ankesat e publikut ia raporton AMA-s, duke sugjeruar masat për përmirësim. Përfundimet mund të publikohen edhe në mjetet e informimit publik;të botojë, çdo 6 muaj një përmbledhje të përfundimeve të nxjerra, në një buletin të veçantë që botohet nga AMA.
Pas miratimit zyrtar të strukturës së AMA-s nga Kuvendi i Shqipërisë, në fund të muajit shkurt 2015, kanë nisur procedurat për ngritjen e Këshillit të Ankesave. AMA po identifikohen kriteret e përgjithshme dhe të posaçme për personat që do e përbëjnë atë, duke iu referuar dhe eksperiencave të vendeve të tjera