Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka raportuar fshirjen e 112 videove me përmbajtje piraterie nga platforma TikTok, pak ditë pas njoftimit të bashkëpunimit me rrjetin social për të adresuar dhe ndaluar shpërndarjen e materialeve të dëmshme. Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, shprehu surprizën për fluksin e lartë të denoncimeve që kanë ardhur që prej fillimit të këtij bashkëpunimi.
Bashkëpunimi i nisur më 22 gusht synon të ndalojë shpërndarjen e materialeve filmike që përmbajnë dhunë, gjuhë urrejtje dhe që shkelin të drejtat e njeriut dhe komuniteteve. AMA ka krijuar një kanal në TikTok ku do të raportohen përmbajtjet e verifikuara si të dëmshme për t’u ndjekur më tej nga platforma për masa të mëtejshme.
Megjithatë, përfshirja e AMA në këtë proces ka ngritur shqetësime midis ekspertëve të medias. Elvin Luku, ekspert i medias, shprehet se përfshirja e AMA mund të shtojë mundësitë për censurë digjitale, duke theksuar se kjo nuk është një rastësi në kontekstin aktual të mediave online, të cilat po përballen me atë që ai e quan “censurë digjitale.”
Blerjana Bino nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” shpreh gjithashtu shqetësime për këtë bashkëpunim, duke vënë në dyshim bazën ligjore dhe qartësinë e kritereve që do të përdoren për të përcaktuar përmbajtjen e dëmshme. Ajo shton se mungesa e transparencës në procedurë krijon hapësirë për dyshim dhe mund të sjellë mospërputhje dhe paragjykime në moderimin e përmbajtjes.
Krasniqi këmbëngul se AMA vepron vetëm mbi bazën e denoncimeve dhe se vendimet e institucioneve brenda AMA-s përcillen më pas tek TikTok për veprime të mëtejshme. Ajo thekson se këto denoncime shqyrtohen nga struktura të specializuara brenda AMA-s dhe se çdo raportim shoqërohet me argumente ligjore për shkeljet e konstatuara.
Ndërkohë, Blerjana Bino thekson se, megjithëse moderimi i përmbajtjes është i nevojshëm për të krijuar një mjedis të sigurt për përdoruesit, paqartësitë dhe mungesa e transparencës në këtë proces mund të çojnë në censurë të panevojshme dhe në cënimin e lirisë së shprehjes. Ajo sjell në vëmendje raste të mëparshme si Citizens Channel dhe MediaLook, të cilat u mbyllën pas raportimeve masive të rreme nga bots dhe trolls, duke theksuar rrezikun e cënimit të lirisë së shprehjes në platforma të tilla.