ë hënën, datë 30 janar, në kuadër të Programit të përbashkët të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Përforcimi i Ekspertizës Gjyqësore mbi Lirinë e Shprehjes dhe Medias në Evropën Juglindore “(JUFREX), Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive organizuan aktivitetin e përbashkët “Prioritetet strategjike të AMA-s – Këshillimi publik dhe krijimi i partneriteteve si bazë për arritjen e tyre”.
Sipas agjendës në panelin e parë u diskutuan disa pika thelbësore të kësaj tryeze si partnetitetet strategjike në tregun audioviziv, përgjegjësitë për të ndjekur standardet europiane të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias.
Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Gentian Sala, në fjalën e tij dhe në prezantim e “Zhvillimit të strategjisë dhe prioriteteve strategjike të AMA-s për vitin 2017-2019”, theksoi se Autoriteti është i vendosur për të ruajtur dhe zhvilluar diversitetin dhe pluralizmin në media.
Misioni i AMA këto tre vite sikurse na orienton dhe ligji ndër të tjera kryesor do të jetë sigurimi që të gjitha shërbimet audiovizive të përmbushin detyrimin për të respektuar lirinë e shprehjes dhe medias si dhe detyrimin për të respektuar të drejtat e tjera ligjore.
Gjithashtu dhe vizioni i AMA-s do jetë t’i shërbejë sa më mirë shoqërisë shqiptare, jo vetëm duke rregulluar tregun audioviziv, por dhe duke mbështetur dhe nxitur ndjekjen e standarteve të BE-së në mënyrë që shërbimet audiovizive të pasqyrojnë sa më mirë vlerat dhe aspiratat e kësaj shoqërie.
Ndër të tjera AMA do të investohet që përmbajtjet e ofruara të jenë në përputhje me dispozitat ligjore për një përmbajtje të paanshme në mbrojte të të drejtave të njeriut, duke i mundësuar publikut krijimin e një opinioni autonom të lirë.
Z. Clas Neukirch, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë përshëndeti takimin dhe vuri në dukje rëndësinë e organizimit të kësaj tryeze diskutimi më qellim jo vetëm për diskutimin e prioriteteve strategjike për rregullimin e tregut audioviziv por edhe të rrisë efikasitetin e procesit të këshillimit publik në përmbushje të detyrimeve ligjore. Efikasiteti i këtij procesi do të rezultojë në bashkërendimin e përgjegjësive të të gjitha organizmave kompetente në përmbushje të nevojave të aktorëve të interesit. Krijimi i një partneriteti për rritjen e sinergjisë në përmbushjen e objektivave të përbashkëta dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike afatmesëm, është mbi të gjitha një përfitim i shoqërisë shqiptare.
Gjatë panelit të dytë u trajtuan me përparësi të gjitha prioritetet e agjendës së digjitalizmit, ato të agjendës rregullatore në tregun e transmetimeve, e veçanërisht shqyrtimi i përmbajtjeve, në përmbushje të Kodit të Transmetimit dhe kërkesave ligjore. Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Z. Thoma Gëllçi, vuri në dukje se procesi i digjitalizimit ka rezultuar një projekt i mundimshëm dhe i gjatë. Ai shprehu rezerva për tarifat e miratuara nga AMA duke i cilësuar ato si shumë të ulëta në krahasim me vlerën e ndërtimit të rrjeteve të reja digjitale dhe me kostot e mirëmbjatjes së këtij rrjeti.
Gjatë minutave të mbajtura në panelin e tretë u diskutuan praktikat më të mira në trajtimin dhe adresimin e ankesave të publikut, prioritetet e bashkëpunimit midis AMA-s, Komisionerit për Mbrojtjen e Të dhënave personale dhe atij për mbrojtjen nga diskriminimi. Një diskutim i rëndësishëm ishin dhe sugjerimet apo këshillimet e vërejtura nga eksperti ndërkombëtar lidhur me paraqitjen më të mirë të Këshillit të Ankesave në raport me publikun. Të gjitha rekomandimet apo dhe sugjerimet shkonin drejt objektivave për të përmbushur standardet europiane. Kryetarja e Këshillit të Ankesave në AMA, znj. Monika Stafa tha se KA është një strukturë që punon në harmoni të plotë me Autoritetin dhe të gjitha dejtoritë aty, duke iu përgjigjur në kohë reale të gjitha ankesave që vijnë nga publiku dhe jo vetëm. Ajo tha se këto ankesa merren të gjitha si raste të vecanta, por gjithmonë me qëllimin për t’i dhënë një zgjidhje të përhershme problemit etik që vjen si ankesë pranë Këshillit të Ankesave.
Pjesë të rëndësishme të diskutimit gjatë këtij takimi, zuri edhe diskutimi mbi procesin e digjitalizmit. Ky proces shumë i rëndësishëm për Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), Radio Televizionin Publik Shqiptar, operatorët audiovizivë dhe partnerët ndërkombëtarë, u vlerësua si i suksesshëm, megjithë vonesat shpesh herë jo legjitime prej të gjitha palëve. Eksperti Ndërkombëtar i Këshillit të Europës në fushën e medias, Dr. Joan Barata i vlerësoi shumë përpjekjet dhe hapat konkretë të Autoritetit të Mediave Audiovizive për ndërtimin e një klime serioze në fushën e medias në Shqipëri. Ai theksoi se stafi i AMA-s ka ngritur një strategji me një afat 3 vjeçar të mirëpunuar dhe tepër serioz pavarësisht se duket se ka marrë përsipër të kryejë shumë pika të cilat shkelin në terrene të vështira. Por e rëndësishme tha ai, është aksioni i zbatimit të tij dhe jo sa shumë detyra për t’u kryer mund t’i vendosim vetes. Në këtë tryezë u mblodhën përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve më me me peshë në vend për nisjen e bashkëpunimit si, Kryetari i Komisionit parlamentar për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik, z. Genc Pollo, përfaqësues nga Zyra e Avokatit të Popullit, përfaqësues nga Rrjeti i Transmetuesëve Kombëtarë, prej Rrjetit të Transmetuesve Lokal, përfaqësues nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale si dhe nga Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, 31 janar, 2017