Në datat 16 dhe 17 dhjetor 2015 një grup prej 20 gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë në mediat audiovizive publike dhe private zhvilluan një modul trajnimi, si pjesë e projektit “Përmirësimi i raportimit të çështjeve të fëmijëve në median audiovizive”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë, ISHM, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA.
Mbrojtja e të miturve në ekran është një nga temat më të rëndësishme në perfomancën e subjekteve audiovizive dhe objekt diskutimi në radhët e komunitetit të medias në përgjithësi. “Ndaj dhe këtë akord të parë të përbashkët me AMA-n vendosëm ta përqëndrojmë në këtë aspekt, për të cilën kemi evidentuar mjaft probleme profesionale”, u shpreh Remzi Lani, drejtor i ISHM-së. Sipas tij, gjatë vitit 2016 do të ketë të tjera module trajnimi, në të cilat do të përfshihen dhe reporterë nga stacionet televizive lokale dhe rajonale të vendit.
Ekspertët e angazhuar në këtë modul, në seanca të veçanta diskutuan me pjesmarrësit tema që lidhen me kuadrin legjislativ dhe rregullator në transmetimet audiovizive; dispozitat kushtetuese dhe Konventa për të drejtat e fëmijëve; formatet e raportimit, burimet dhe teknikat e intervistimit, specifikat e pasqyrimit të problematikës së fëmijëve në mediat audiovizive-puna në redaksi dhe njohuritë që gazetari social duhet të zotërojë për një pasqyrim sa më të plotë dhe frytdhënës;.njohja e gazetarëve me Kodin e Transmetimit të AMA-s, roli dhe ndikimi i Transmetuesit Publik; emisionet për fëmijët dhe të rinjtë si mënyrë të shprehuri etj. Pjesë e diskutimit në modul ishin dhe rastet studimore të marra nga media audiovizive shqiptare, lidhur me etikën dhe fëmijët.
“AMA në angazhimin e vet nuk synon vetëm procesin e monitorimit për të verifikuar përputhshmërinë me ligjin dhe Kodin e Transmetimit të përmbajtjeve të transmetuara. Gjatë vitit 2015 jemi investuar dhe tek partneriteti me institucione dhe organizata që punojnë në fushën e mediave, sidomos në mediat audiovizive. Jemi në favor të nxitjes së redaksive për produkte cilësore dhe të shumëllojshme, pasi kjo është pritmëria e audiencës,” deklaroi gjatë ceremonisë së shpërndarjes së ceritikatave Gentian Sala, kryetar i AMA-s.
Pak javë më parë Autoriteti në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit në Universitetin e Tiranës zhvilluan nje konferencë nderkombëtare mbi digjitalizimin e transmetimeve audiovizive, ku referuan studiues e kërkues të njohur të medias nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 17 dhjetor 2015