Autoriteti Mediave Audiovizive i bashkohet aksionit të Bashkisë së Tiranës me mbjelljen e 100 pemëve kumbulla të kuqe pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital. Blerja e pemëve u mundësua nga buxheti i Autoritetit dhe stafit të AMA-s.
Autoriteti i Mediave Audiovizive prej kohësh po i kthen politikat e gjelbërta në prioritet në punën e përditshme, duke fillluar nga kursimi i energjisë, mbrojtja e ambientit dhe kontributi direkt në ndryshimin për mirë të tij.
Duke e cilësuar si një nismë shumë të nevojshme mbjelljen e pemëve, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, tha se është nga aktivitetet më frymëzuese ku stafi i AMA-s merr pjesë. Autoriteti ka si objektiv, u shpreh ai, që politikat mjedisore t’i përkrahë edhe me një fond të vogël në buxhetin e tij të vitit pasardhës.
Kryebashkiaku i shprehu mirënjohjen stafit të AMA-s, të cilët me fondet e tyre kontribuan në shtimin e numrit të pemëve të reja të mbjella këtë sezon në kryeqytet. Veliaj apeloi që ky shembull i qytetarisë, të ndiqet edhe nga institucionet e tjera, duke lënë në këtë mënyrë një shenjë në krijimin e një ambienti të shëndetshëm për fëmijët.
Parku i Liqenit të Farkës po shndërrohet në një nga hapësirat çlodhëse më të vizituara për komunitetin e shtuar të banorëve në këtë zonë, por edhe nga turistët ditorë për aktivitete sportive. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi për ndihmën në mbjelljen e 100 pemëve dhe theksoi se kur gjërat e vogla bëhen me dashuri, rezultati është fantastik. Në aktivitet, në shenjë solidarizimi me politikat mjedisore mori pjesë edhe kantautori Ardit Gjerbrea.