AMA gjobit televizionin Klan për fyerjet e Gazetarit Arjan Çani ndaj çamëve. Gjatë emisionit Zonë e Lirë Cani tha se “Pse kot thonë për çamët që janë të pabesë?” dhe, më pas, shton: “(Çamët) …janë të mirë, janë aq të mirë sa t’i vrasësh pak e kanë! Bëj shaka, sigurisht, ishte batutë, unë jam çam vetë!”.
Në vazhdim të emisionit Çani duke replikuar me një nga të ftuarit tha se “E ke gabim, sarandiotët nuk janë kështu, janë… ok, janë shumë të poshtër, t’i vrasësh pak e kanë dhe ata, por nuk të thonë gjë për çamët.”
Ndërkohë vetë gazetari Arjan Çani u shfajësua se ishte një batutë, por megjithatë AMA ka dënuar televizionin Klan me 400.000 lekë gjobë.
DEKLARATA E PLOTË E AMA-s:
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA,) në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ka monitoruar programin “Zonë e lirë” transmetuar në televizionin privat kombëtar “Tv Klan” në datat 8 dhe 9 maj 2015. Nga monitorimi rezultoi se gjatë programit janë cenuar disa nga parimet themelore të ligjit nr. 97/2013, që përcaktojnë se operatorët e shërbimit audioviziv, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, s’duhet të lejojnë transmetimet që nxisin intolerancën midis shtetasve, që nxisin apo justifikojnë dhunën.
Në pjesën e fundit të emisionit (nga ora 00.45 e datës 9 maj 2015) gjatë bisedës me një këngëtar të ftuar, nga drejtuesi i emisionit, përdoren drejtpërsëdrejti fraza dhe shprehje që nuk respektojnë kërkesat ligjore dhe etike për përmbajtjen e programeve audiovizive. Konkretisht drejtuesi thotë se: “Pse kot thonë për çamët që janë të pabesë?” dhe, më pas, shton: “(Çamët) …janë të mirë, janë aq të mirë sa t’i vrasësh pak e kanë! Bëj shaka, sigurisht, ishte batutë, unë jam çam vetë!”.
Në vazhdim të bisedës, drejtuesi i emisionit replikon me këngëtarin e ftuar duke thënë: “E ke gabim, sarandiotët nuk janë kështu, janë… ok, janë shumë të poshtër, t’i vrasësh pak e kanë dhe ata, por nuk të thonë gjë për çamët.”
Bazuar në këto qëndrime të drejtuesit të emisionit “Zonë e lirë”, të datave 8 dhe 9 maj 2015, AMA vëren se janë shkelur kërkesat e parashikuara në nenin 32, pika 4 dhe nenin 33 pika 1, gërma “ç” dhe “d” të ligjit nr. 97/2013, sipas të cilave ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv nuk duhet të transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen mbi baza racore, gjinie, fetare, etnike, kombëtare dhe çdo lloj tjetër diskriminimi, të mos cenojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut si dhe të mos transmetojnë programe që mund të nxisin vepra penale.
AMA vlerëson se jemi në rrethana specifike, pasi subjekti “Tv Klan” është televizion me shtrirje kombëtare me audiencë të konsiderueshme, ku ndjeshmëria në publik e përmbajtjeve të transmetuara është më e madhe.
Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 33 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, mbështetur në nenin 133, pika 1, gërma “a” të po këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe ndërshkohet me gjobë.
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 133, pika 10 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Drejtoria e Programeve dhe Drejtoria Juridike dhe Licencave të AMA-s,
V E N D O S I:
Të ndëshkojë me gjobë në masën prej 400 000 (katërqindmijë) lekë, shoqërinë “Tv Klan” sh.a., për subjektin audioviziv privat kombëtar “Tv Klan”.
Gjoba paguhet nga kundërvajtësi brenda 10 ditëve në adresën:Banka Credins, AMA , Tiranë; Nr. Llog. 445385.
Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet kamatë 2% deri në një muaj.
Kundër kësaj gjobe mund të bëhet ankim në AMA brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni.
Tiranë, 12.05.2015
Drejtoria Juridike dhe Licencave
Drejtoria e Programeve
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
Marre nga a.h/shqiptarja.com