Alketa Vejsiu në nje interviste ekskluzive për “Aperitiv Fest” në RTSH, zbulon të ftuarit special në tre netët e Festivalit të 58-të në RTSH, mënyrën se si do të jetë votimi për kengën që do shkojë në Eurovision, si dhe u jep përgjigje pakënaqësive që janë shprehur aty- këtu publikisht.
Në prononcimin për “Aperitiv Fest”, me Eni Shehun, Vejsiu zbuloi disa prej surprizave që do ta shoqërojnë këtë vit festivalin, veç konkurrentëve në garë. Sipas saj, Festivali nuk mund të largohet nga tradita, por do të shoqërohet nga një frymë e re, e cila, me siguri, do të përcjellë te publiku një festival shumë të mirë.
“Muzika shqiptare është zemra e këtij festivali, do këndohet shqip, do flitet me dashuri për gjuhën shqipe përmes poezisë, dhe poetëve shqiptarë, por do ketë edhe të ftuar nga jashtë. Giusy Ferreri për shembull do të jetë një nga të ftuarat e festivalit. Po kështu edhe Mahmood, fituesi i Sanremos dhe përfaqësuesi i Italisë në Eurovision” – tha Vejsiu.
E ftuara tjetër speciale e këtij festivali është edhe Eleni Foureira, fituesja e çmimit të dytë të Eurosong vitin e kaluar, këngëtarja me origjinë shqiptare që ndezi flakë skenën europiane. Të tjera surpriza, pa dyshim, do të ketë shumë, por do të zbulohen ditët e ardhshme.