Alketa Vejsiu ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” për të folur rreth eksperiencës së saj në Sanremo 2020. Vejsiu tregoi gjithçka rreth këtij rrugëtimi: që nga mundësitë që shfrytëzoi për të mbërritur gjer atje e deri tek kritikat kolektive të shqiptarëve.
Fevziu u ndal edhe tek Festivali i Këngës dhe tek perceptimi i krijuar se “Alketa Vejsiu e përdori festivalin për të mbërritur në Sanremo”.
“Unë e bëra Festivalin se ka qenë ëndrra ime. Çdo njeri që e ka bërë atë festival e ka bërë sipas mënyrës së tij. Mënyra ime ishte që unë të këndoja, të kërceja dhe të ndërroja fustane. Nga ana tjetër kasti i këngëtarëve ka qenë shumë i mirë dhe e kanë përfaqësuar veten shumë mirë.”
Teksa mes pyetjesh Fevziu kalonte sa nga njëri festival në tjetrin, ai u ndal edhe tek “sulmet” virtuale mes moderatores dhe personazheve të tjerë publikë. Ndonëse nuk u përmend asnjë emër konkret kujtojmë këtu, postimin e bërë në Revista Class, kundrejt Xhemi Shehut.
“Shiko, unë jam shumë e ndjeshme! Dukem arriviste, ambicioze, e patrembur, por jo. Mërzitem shumë. Pas atij ekrani të telefonit ndodh edhe që të më rrëshkasë ndonjë lot. U bë një luftë e ashpër, por nuk mund të vriten njerëzit ashtu. Nuk kanë pse të futen ingranazhet e së keqes, kur mund të ketë kritika. Unë jam pro kritikave konstruktive.
Jam shumë e hapur ndaj kritikave. Mendoj me vete dhe them po, ka të drejtë Dalina Buzi, apo Blendi Fevziu…I pranoj dhe i analizoj me vete. Unë ligësisë dhe të drejtës nuk i hap rrugë. Ne (personazhet publikë) duhet të kuptojmë që këtu jemi në të njëjtën rrugë.”- shpjegoi Alketa, e cila u ndal edhe tek postimi i bërë në revistën që ajo drejton, pas përmasave që mori.
“Shiko, unë në median time kam gazetare. Dhe kam zgjedhur t’i lë të lira. E lashë të lirë. Patjetër, diçka mund të jetë tepruar, por…”
/ANABEL/