Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit Publik Shqiptar do të zgjidhet në të njëjtën mënyrë si Presidenti i Republikës. Pas më shumë se 1 vit dështim nga Këshilli Drejtues i RTSH-së për të zgjedhur drejtorin, mazhoranca ka marrë iniciativën për të bërë ndryshimet e duhura ligjore që do të mundësojnë zhbllokimin e situatës.
Sipas nënkryetarit të Komisionit të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik, Alfred Peza, me ligjin e ri që javën e ardhshme do të propozojë mazhoranca, zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm do të bëhet me 4 raunde. Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin.
Peza e cilëson këtë hap si një ndërhyrje e nevojshme, më shumë sesa e dëshiruar, pasi sipas tij, opozita po e bllokon procesin, dhe nuk i jep vetes shansin për konsensus dhe propozim alternative. Sa i takon pavarësisë së këtij televizioni nga qasja tradicionale pro-qeveritare, Alfred Peza ndan mendimin se nuk ka pse të jetë i kushtëzuar nga qeveria një institucion si TVSH, i cili është ekonomikisht i pavarur. Peza e konsideron këtë si një taktikë vetëofrimi dhe vetëpërdorimi nga ana e drejtuesve të RTSH-së.
Z. Peza, ju jeni shprehur se së shpejti do të ndryshojë ligji për RTSH-në. Pse lind nevoja e një ndërhyrjeje të tillë ligjore?
Ligji për Median Audio-Vizive në Republikën e Shqipërisë është ndër të paktat ligje konsensuale në të gjithë korpusin e ligjeve me të cilin funksionon ky vend. Prej shumë vitesh ky ligj nuk është zbatuar në mënyrë konsensuale duke krijuar për pasojë një krizë të drejtimit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, duke filluar me zgjedhjen e këshillit drejtues të RTSH-së dhe zgjedhjen e drejtuesit të këtij këshilli, proces ky i cili u bë me shumë sforco nga ana e Komisionit të Medias dhe më pas nga ana e Parlamentit.
Dhe tani që këshilli dhe drejtuesi i këshillit janë zgjedhur, nuk po arrihet prej kohësh të zgjidhet drejtuesi i ri i radiotelevizionit dhe po mbushen 2 vjet që ky institucion nuk ka njeriun kryesor drejtues të tij, pasi ligji aktual kërkon një konsensus maksimal për zgjedhjen e drejtorit. Duhet vota e shumicës absolute e anëtarëve të këshillit drejtues, dhe përmes përfaqësuesve të vetë opozita po e bllokon procesin.
Kjo do të thotë që ky proces nuk po mishëron konsensusin e premtuar dhe të pritur nga të gjithë, për t’i dhënë zgjidhje çështjes, dhe si një mundësi që opozita të ofrojë alternativa dhe në fund të fitojë alternativa më e mirë, dhe të kemi bashkëpunim. Këtë rast opozita e sheh si një mënyrë për ta bllokuar procesin, në mënyrë që ky proces të prodhojë kriza e nga kjo situatë të përfitojë opozita.
Në këto kushte, ne si ligjvënës jemi të detyruar të ndërhyjmë, pa dëshirën tonë, por të detyruar nga nevoja, por edhe nga koshienca politike që kemi për të bërë reforma, pasi për këtë jemi votuar si mazhorancë, të ndërhyjmë dhe ta zgjidhim këtë ngërç. Do të zgjidhim këtë krizë të drejtimit të RTSH-së, qoftë edhe duke e ndryshuar ligjin dhe për këtë jemi të vendosur.
Si do ta zgjidhë ndërhyrja ligjore këtë ngërç?
Një nga elementët është procedura e zgjedhjes së drejtuesit të RTSH-së. Ligjvënësit e mëparshëm, në perceptimin tim kanë bërë një gabim, pasi nuk kanë vendosur një limit të numrit të herëve që duhet votuar në mënyrë konsensuale për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm. Mund të votohet 100 herë apo 1000 herë, dhe ai mund të mos zgjidhet pafundësisht, dhe ligji aktual nuk jep zgjidhje se si mund të dilet nga ky ngërç.
Zgjidhja sipas meje do të jetë duke marrë modelin e formulës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku pas tre radhësh tentative për zgjedhje me shumicë absolute, në rast se nuk zgjidhet, në raundin e katërt, mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Nëse përsëri nuk arrin të zgjedhë drejtorin e përgjithshëm, atëherë këshilli të shpërndahet, siç shpërndahet parlamenti.
Në fund të fundit, drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, nuk është një person më i rëndësishëm se Presidenti i Republikës, ku procedura e zgjedhjes së tij të jetë më ekstra se e zgjedhjes së çdo drejtuesi tjetër institucioni. Gjykoj se kjo është një zgjidhje që jemi të detyruar ta bëjmë, për aq kohë sa ligji aktual nuk po shfrytëzohet si një shans për konsensus nga të dyja palët.
A do të shoqërohen këto ndryshime ligjore me një reformë tërësore në RTSH, përsa i përket dhe personelit?
Kjo çështje u përket vetëm strukturave drejtuese të televizionit, dhe nuk është fare kompetencë apo objekt i punës së deputetëve apo prej meje si nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik.
Meqë po bëhen ndryshime ligjore për funksionimin e RTSH-së, a nuk është ky rasti për të bërë ndryshime të atilla ligjore, që do të siguronin pavarësinë e RTSH-së, e cila ka qenë në linjën editoriale përkrahëse e çdo qeverie?
RTSH-ja nuk e ka problemin e pasjes së pavarësisë së saj tek ligji, por e ka tek një kulturë e vetëpërdorimit dhe e vetëofrimit ndaj qeverisë së radhës, pasi ashtu është mësuar të funksionojë që nga fillimet e pluralizmit e deri më sot. E vetmja varësi që duhet të ketë ky institucion është ndaj shijeve dhe kërkesave të opinionit publik shqiptar, për sa kohë kontribuuesi kryesor për financat e këtij enti, është publiku shqiptar, dhe qeveria thuajse nuk jep asnjë lek për këtë institucion.
Nëse dikush ka pavarësi ekonomike, sigurisht që ka dhe pavarësi politike, por nëse dikush nuk dëshiron ta shfrytëzojë pavarësinë e tij ekonomike për të rritur pavarësinë e tij politike, atëherë vetëofrimi apo vetpërdorimi i tyre do të jetë një mundësi për tu analizuar në instanca të tjera, ndoshta në psikoanalizë, por jo në politikë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Shtator 2015
– See more at: http://shqiptarja.com/media/2710/intervista-pezandryshojm–ligjin-kreu-i-rtsh-zgjidhet-si-presidenti-315423.html#sthash.UvojkAUR.dpuf