Drejtori editorial i Agon Channel, Alessio Vinci, ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me kanalin shqiptar ku punoi për një vit. I gjendur përpara propozimit për të udhëhequr drejtorinë e lajmeve të Agon Channel Italia, ish prezantuesi i Matrix i pyetur nga TV Blog, ka thënë se e kishte të pamundur të angazhohej për të dytin vit radhazi me projektin medial të Agon. Impenjimi i vazhduar dhe prezenca e tij 24 / 24 në kryeqytetin shqiptar, ka qenë shkaku i refuzimit të kontratës. Vinci ka deklaruar gjithashtu, se nuk mohon faktin se në një të ardhme mund të rikthehet me projekte të reja në Agon Channel dhe se raportet e tij me sipërmarrësin Franceso Beccheti mbeten shumë të mira. Aktualisht Alessio Vinci është duke punuar për një projekt italian me kompaninë Pilosio, që ndërton struktura të lëvizëshme, për spitalet dhe shkollat e refugjatëve sirian në Jordani.
Ditën e djeshme, Agon Channel Italia firmosi kontratën me ish drejtorin e lajmeve të Radio Rai, Antonio Caprarica, i cili do të drejtojë redaksinë e informacionit në kanalin e ri që nis transmetimin në datë 26 nëntor në kanalin 33 të digital tokësorit italian.