Gazetari i mirënjohur Aleksandër Çipa gjykon se materialet mediatike të prodhuara nga zyra e shtypit të subjekteve politike apo institucioneve, nuk duhet të transmetohen.
Përgjatë një interviste dhënë për gazetën “TemA”, Çipa thekson se e vërteta nuk mund të fabrikohet duke këshilluar që kronikat e gatshme të mos bëhen publike.
Në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, ai arsyeton se gazetaria investigative nuk po zhvillohet dot nga media e kapur prej interesave, por prej gazetarëve që jetojnë në liri dhe të lirë.
Sa i përket pagave të gazetarëve, Çipa apelon ndaj institucioneve që një kastë e caktuar e gazetarëve të detyrohet për deklarimin e pasurisë.
Në media është hapur një debat i madh lidhur me kronikat e gatshme që serviren nga zyra e shtypit të institucioneve apo subjekteve politike. A duhet të transmetohen këto materiale?
Jo! Përgjigjia është pa ekuivok, në asnjë mënyrë nuk duhen transmetuar. Nuk duhet të transmetohen. Kjo praktikë duhet të ndërpritet njëherë e mirë. Ne si Union i Gazetarëve Shqiptarë kemi protestuar seriozisht, madje duke kryer edhe demonstrime simbolike, lidhur me këtë fakt, duke kthyer mbrapa, në selitë e partive apo në KQZ, kasetat e pregatitura nga regjitë partiake. Këto materiale praktikisht janë manipulim i informacionit dhe shmangie e raportimit të pavarur nga gazetarët dhe nga media. Jemi kundër kronikave të gatshme pasi deformohet misionarizmi i pasqyrimit të së vërtetës nga individët e gazetarisë duke e deleguar këtë të drejtë tek personat e paskuintave të partive politike. Kjo nuk është gazetari, por marrje dhe përcjellje porosish.
“Fake News’ po bëhet një fenomen që po e çorjenton median por po ashtu edhe opinionin publik. Nga burojnë këto lajme? A ka ndonjë formë që konsumatori i lajmeve të mos bjerë preh e saj?
Natyrisht që diferencimin mes lajmeve false dhe atyre të vërteta, e nxjerrin në pah burimet referuese, konfirmimet dhe pohimet shumëpalëshe të përfshira në ngjarjen që përbën lajmin. Bëhet fjalë për rikthimin e rregullave të gazetarisë klasike ku raportimi ka më tepër se dy burime, ku nevoitet kontakti direkt i gazetarit dhe i provave autentike.Pra konfirmimi përmes dokumentacionit autentik të së vërtetës dhe jo marrje-dhënie e thashethemeve verbale, ky do të ishte fundi i Fake News.
Fatkeqësisht, provat që dëshmojnë të vërtetën janë të munguara në mediumet e Shqipërisë rëndom dhe raportimet e drejtpërdrejta e këmbëngulëse po bëhen gjithnjë e më të munguara. Besoj se kjo është një krizë globale dhe nuk është veç fenomen shqiptar. Një Fake News buron nga thashethemnajat, nga intrigat meskine të grupeve të interesit, subjekteve politike, protagonistëve politikë apo edhe nga psikologjia masive që dominon shoqërinë kaotike shqiptare.
Gazetaria investigative duket se ka mungesa të thella në vend. Çfarë e pengon të zhvillohet në vendin tonë këtë zhaner gazetaresk?
Këtë zhanër e pengon kapia e medias. Mund të themi se pengesa më e madhe është censura e rrethanave apo e interesave financiare,e grupeve dhe klaneve të biznesit dhe korrupto-politikës. Mbi të gjitha pengesë për zhvillimin e gazetarisë investigative bëhen edhe faktorë të tjerë si ndjenjat populiste, lokaliste e nepotike që janë kaq të pranishme në realitetin shqiptar dhe sidomos ndër poseduesit e mediumeve të cilat janë brendi shtesë e informalitetit dhe inflacionizmit postkomunist shqiptar.
Meqë jemi tek censura, flitet kaq shpesh për të dhe faji gjithmonë bie mbi pronarët dhe politikanët. A mendoni se në të shumtën e rasteve është faji i këtyre të fundit apo janë vetë gazetarët që zgjedhin ta censurojnë veten?
Duhet riformuluar koncepti për censurën në raport me mediumet klasike dhe mediat e reja. Pronarët janë përhershmërisht censorë, ndërsa gazetarët tashmë kanë mundësi të mos mbeten të censuruar. Unë nuk e ndaj përgjegjësinë vetëm për pronarët apo administratorët e medias. Censura është binjake me vetëcensurën dhe këto janë dy realitete tronditëse për degradimin e besueshmërisë publike ndaj medias, gazetarëve dhe raportimit.Këto si binjake të tilla janë kreaturë e së njëjtës mitër të realitetit kritik me shumë probleme në të cilin jeton shoqëria jonë e sotme.
Z. Çipa, shkollat e gazetarisë në Shqipëri si publike ashtu edhe private janë shtuar shumë në krahasim me vite më parë. Cilat janë problemet kryesore që kanë këto universitete në përgatitjen e gazetarëve të rinj?
Të gjitha problemet e përgatitjes profesionale dhe nivelit kulturor të gazetarit nuk vijnë veç prej universiteteve ku janë shkolluar dhe formuar, ndonëse duhet thënë se edhe aty ka mungesë lektorësh të kualifikuar, ndonëse mund të kenë përvoja vetiake të punës redaksionale. Ky është një problem edhe më kompleks. Unë mendoj se kriteret e rekrutimit të gazetarëve në mediat shqiptare janë kriteret më të abuzuara dhe më të shpërfillura. Mund të quhen kritere pa kritere që kryhen nga autoriteti i administratorit dhe pronarit që në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë. Mendoj se kjo ka të bëjë me përjashtimin e editorit nga pozita e profesionistit, të cilit duhet t’i besohet rekrutimi i gazetarëve.
Kjo praktikë është ndjekur në fillimet e mediave Top Channel, Klan apo News 24, dhe më pas është shpërfillur.Kjo është një ndër arsyet themelore që ka sjellë falimentimin e besueshmërisë publike ndaj medias.Mendoj se sot ka një lloj afirmimi të fakulteteve të shkencave të komunikimit dhe konkretisht degës së gazetarisë. Natyrisht pedagogët ngelen para dilemës së qëndrueshmërisë së kurikulave.
Ky është një problem që ka qenë edhe në botë, por atje tashmë është fituar beteja e kurikulave të qëndrueshme dhe atyre që nevoitet të rikonceptohen në përputhje me zhvillimet dhe sfidat e tregjeve mediatike dhe zhvillimeve të teknologjive të komunikimit. Në Shqipëri ne nuk kemi ende një shkollë vijuese dhe të afirmuar të gazetarisë.Mospasja e një vazhdueshmërie që të formësojë shkollën e përvojës dhe atë të formimit të thellë teorik profesional, ka sjellë këtë situatë kaotike ku gazetarët e pas ‘90-ës, të mohojnë ata të viteve ’80-të etj.. Nga ana tjetër edhe ata të vitit 2017 të injorojnë kontributin e paraardhësve të tyre.
Si e shpjegoni që një kasë e vogël gazetarësh janë tejet të pasur dhe disa të tjerë që punojnë në kushte të mjerueshme dhe e kanë të vështirë të sigurojnë paratë e muajit?
Besoj se fenomeni i korrupsionit, i abuzimit financiar, i mitmarrjes dhe i mitdhënies, nuk mund të mos e ketë përfshirë edhe skenën mediatike të vendit dhe kryesisht protagonistët kryesorë të këtij komuniteti apo pushteti të ashtëquajtur “i kamur”. Prej vitit 2011 në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve, kam kërkuar që në listën e përfaqësuesve që kanë detyrimin publik, moral dhe duhet të kenë atë ligjor, për të deklaruar burimin e të ardhurave, të përfshihet edhe editori shqiptar pa përjashtim. Këtu kam parasysh drejtuesit e medias, editorët kryesorë por edhe ata individë që mund të klasifikohen në nivelin e lartë të përfitimit të të ardhurave, duke u renditur në krye të listës informale të pagave dhe pagesave në vend. Nëse do të ndodhte kjo, ne do të kishim padyshim një integritet më të madh dhe jo të munguar siç është momentalisht, të gazetarit. Padyshim do të kishim edhe një respekt për pushtetin e katërt dhe mes vetë komunitetit të gazetarëve, do të funksiononte një hirearki meritokratike dhe jo një hirearki e vendosur mbi bazën e kritereve të pasjes apo të shantazhit të ushtruar ndajpolitikës apo grupeve të interesit ekonomik dhe financiar.
Si e shihni të ardhmen e gazetarisë në Shqipëri. Do të ketë gazetari që do qëndrojë mbi politikën apo gjendja do të vazhdojë e njëjtë?
Unë i përbahem arsyetimit të provuar edhe nga filozofia klasike që thotë se çdo krizë është shtatzanë me një zgjidhje. Nuk mund të them se do të rezaurohet për 5 apo 10 vjet por praktikisht kjo është një krizë që e mbart edhe zhvillimin.Besoj se sfida kryesore dhe më dimensionale, me të cilën po përballet edhe gazetaria globale është specia e re e quajtur “qytetari-gazetar”, e cila po eklipson dhe po sfidon profesionistët dhe raportuesit e formuar.
Ky duel do të përfundojë patjetër me triumf të këtij të fundit, pasi qytetari dhe shoqëria në përgjithësi, ka nisur të lodhet nga thashethemnajat dhe fabrikimi i të vërtetave.Kjo lloja gazetarie i ka sëmurë dhe po i sëmur opinionet publike, po i bën të frustruar dhe po e agravon gjendjen deri në refuzim rebelues.
Ne duhet të investohemi për të krijuar një kontrast mes medias private të uzurpuar, të keqpërdorur dhe shpesh herë me profil shantazhues dhe medias së munguar të simpatisë publike dhe në shërbim të publikut.Për këtë të fundit, ne kemi mundësi të investohemi si gazetarë profesionistë që reformimin e pretenduar teorikisht, ta bëjmë reformim real dhe me impakt. Duhet strukturuar media publike, duhet rikonceptuar ajo duke u hequr prej tutelës partiako-politike. Kjo nuk është risi, por është versioni më i mudnshëm për ta bërë dhe pasur një model publik, siç ka funksionuar në shumë vende të Evropës.