Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti deklaron se nuk do të respektojë protokollin për dorëzimin e detyrës. Kreu i Vetëvendosjes shprehet se, refuzon këtë praktikë pasi nuk mund të pranojë atë që shkarkoi si zv. kryeministër.
“Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria “Koti”. Ne jemi qeveria alternative. Nesër nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzuar te Presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të rikthehemi përsëri shumë shpejt’, thotë z. Kurti.
Ish-kryeministri Kurti e cilëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e dekretit të Presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re, si të papranueshëm.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar veten e tyre si gjykatë”, ka nënvizuar kreu i VV-së.
Sipas një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se ceremonia për marrjen e detyrës nga qeveria e re e Kosovës do të mbahet të enjten në orën 09:00.