Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se në paketën e ardhshme të ndihmës do të përfshihen dhe kategori të tjera, duke përmendur dhe gazetarët. Z. Kurti bëri një deklaratë të tillë gjatë vizitës në Komunën e Ferizajt për t’u njohur me veprimet e ndërmarra, si dhe nevojat e komunës për menaxhimin e situatës së COVID-19.
“Pakoja emergjente është ciklike. Pajtohem që duhet ta adresojmë në këtë çështje, në mënyrë që të shohim se edhe ata që nuk i kemi përfshirë, të përfshihen, si pastruesit, shoferët dhe gazetarët”, është shprehur Kryeministri i Kosovës.
Z. Kurti tha se masat duhet të vazhdohen në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë që përhapja e virusit të bjerë, duke u kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, të ruajnë distancën dhe të kujdesen për higjienën.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë së Kosovës nënvizoi se, do t’u ofrohet ndihmë punonjësve të dëmtuar, bizneseve por gjithashtu do të përfshihet në paketën e ndihmës dhe bujqësia.
“Qeveria në detyrë ka aprovuar një masë shumë të rëndësishme në formën e një pakoje emergjente. Duhet të kujdesimi për ata të cilët janë më të varfër dhe për ata që punojnë, por edhe sa i përket bizneseve dhe pagave të punëtorëve. Kemi paraparë edhe ndihmat për komunat dhe gjithashtu për bujqësinë dhe kulturën e rininë e sportin”, deklaroi z. Kurti.