Me siguri ditën e djeshme jeni ndeshur me videon-n e koregrafit Albi Nako në jurinë e programit “Just Dance”, ku i drejtohej një prej konkurenteve të emisionit, Belës, me komente që për shumë njerëz ishin më e pakta jo korrekte dhe deri aty sa tingëllonin si ofenduese dhe seksiste. Mendimin tonë në lidhje me video-n dhe gjthçka tjetër mund ta lexoni këtu.
Gjithsesi, pas reagimit masiv në rrjetet sociale dhe media, në lidhje me mënyrën si Nako ju drejtua gjimnastes 40-vjeçare, ditën e sotme ka ardhur edhe reagimi i korografit të njohur. I ftuar në një intervistë në “Top Albania Radio” pak momente më parë, ai ka thënë versionin e tij të ngjarjes.
“Jam shumë i habitur me këtë numër komentesh dhe reagimesh që ka pasur. Gjithsesi e vërteta më e madhe është ajo që nuk thuhet dhe ato që ndodhin në backstage nuk merren vesh. E vërteta është se Belën e njoh prej 20 vitesh dhe gjatë kësaj kohe ajo ka punuar me mua dhe për mua në akademi. E vërteta është që në emision ajo ka ardhur nëpërmjet meje dhe gjithçka që u tha aty ishte një bashkëpunim me atë vajzë, si një lloj promo-je për të, duke qenë se i ka munguar mbështetja gjithmonë. Kjo ishte diçka e qëllimshme dhe une imazhin qe kam krijuar në kaq vite karrierë, nuk do ta shkatërroja në mënyrë të tillë, me një koment.”– u shpreh Albi.
Gjithsesi ai u pyet nga moderatoret e programit, pavarësisht njohjes me të ose jo, a ishin korrekte fjalët që ai i drejtoi Belës? Për këtë Nako tha:
“Pse çfarë i thashë unë Belës? Kërcimi që ajo bëri ishte një koregrafi e bërë nga unë dhe personazhi që realizoi aty ishte fiks si ai në filmin “Planeti i Majmuneve” Po t”i referohemi filmit, majmuni si kafshë është ekzotike dhe e dashur e në momentin që ti e ndalon dhe e frenon, bëhet agresive dhe reagon, kjo ishte ideja e asaj koreografie. Në momentin që bëra atë koment, në ambientin e spektaklit në fakt u mirëprit, por nuk mendoja se do kishte një reagim kaq te madh dhe një keqkuptim nga publiku.”
Ndërkohë në lidhje me komentet e tjera, për moshën, martesën dhe fëmijët ai u shpreh:
“Une e thashë, gjithçka ishte e stisur me Belën, i kishim fjalët të përcaktuara në atë bisedë. E gjitha u bë për të bërë një promo për të sepse nëse i thua se është një “star” apo e shkëlqyer, kalon pa u vënë re, ndërsa në të kundërt do të shkaktonte shumë jehonë. Sido që të jetë, fjalët që janë thënë ndoshta nuk tingëllojne aq etike dhe në këtë moment unë kërkoj një mirëkuptim nga publiku, duke i kerkuar ndjesë publike, sepse nuk kam pasur asnjë qellim për denigrimin e figurës së femrës. “
Për sa i përket pjesës së moshës, Nako tha se baleti futet tek sportet dhe komenti i tij ishte pikërisht për këtë, që një 40-vjeçare e ka të veshtirë të përballet me një 20-vjeare, për shkak të natyrës së sportit dhe ligjeve të natyrës.