Mbrëmjen e djeshme çeli siparin edicioni i dyte i spektaklit te vallezimit “Dance with Me”. Vitin e kaluar DWM, ishte një nga programet e reja dhe më të ndjekura, duke mundur në audiencë edhe Dancing with the Stars. Edicioni i dytë përveç komponentit të ri në juri Albi Nako dhe konkurentëve, nuk paraqiti risi në formulë dhe skenografi. Për më tepër pasqyrimi në rrjetet sociale ishte i nje niveli të dobët. Mjafton të shikoni foton më poshtë për të kuptuar se sa të update-uar ishin aministratorët e faqes së facebook, ku ende shihet ne cover qendron juria e vitit të kaluar. Një detaj që sado i vogël tregon pak seriozitet.
Spektakli i parë u finalizua me mbretërit e natës, çiftin Albërie Hadërgjonaj dhe Vesel Kurtishaj, ky i fundit i dëmtuar në krah ditë më parë gjatë provave, arriti të sfidoj veten dhe të ekzekutojë gjithsesi koreografine e një tango sensuale.
Ata ulën nga froni Irena Kitën dhe Dj Sardin që sollën një vals gjithë klas. Të njëjtin emocion përcolli Drini Zeqo dhe Viola Spiro, ndërsa çiftet Stine dhe Roza, Ingrid e Herion, Labi dhe Arilena erdhën me kërcime shpërthyese këtë mbrëmje.
Batutat e humori na shoqëruan përgjatë gjithë mbrëmjes dhe kjo falë aktorëve, Sejfulla Myftari e Markela Dede, por edhe protagonistëve të tjetër.