Emisionet “dating” si “Për’puthen” apo “Love Story” kanë kohë që qarkullojnë në të gjitha vendet e botës në formate të ndryshme. Së fundmi edhe Alban Ramosaj ka marrë një ftesë për t’u bërë pjesë e një programi të tillë në Spanjë. Këngëtari ka zbuluar se ka marrë në Instagram një mesazh nga stafi i emisionit “Mujeres y Hombres y Viceversa”, në të cilin shkruhet se ai mund të bëhet pjesë e programit për të përjetuar një eksperiencë unike.
“Na pëlqeu profili yt dhe vendosëm të të kontaktonim. Ne po kërkojmë për djem dhe vajza të ngjashëm me profilin tënd. Nëse je beqar, nëse je në moshën e duhur, nëse do të përjetosh një eksperiencë dhe të njohësh një nga vajzat tona, kjo është koha”, shkruhet në ftesën që i është bërë Albanit.
Këngëtari nuk e ka pranuar këtë ftesë, megjithatë ju ka hyrë kërkimeve për të parë se ç’është bërë në edicionet e mëparshme. Albani ka treguar se ka qeshur shumë e është tallur me gjithë skenarët e ndërtuar në programin në fjalë.
“Tani u bëka fjalë për këtë emisionin dating… kam qëkur kam hap sytë që qesh e tallem saqë po mendoj të shkoj me verte të bëhem i famshëm pa arsye. Shif ça drame bëhet këtej mo”, shkruan Ramosaj.
Besojeni ose jo, por pjesë e këtij emisioni ka qenë edhe Papi Juancho, Maluma. Më fakt nuk ka marrë pjesë si konkurrent, por ka qenë dikur aty si i ftuar.
Ky detaj i ka tërhequr vëmendjen Albanit, i cili ka shkruar me shaka: “Shi shi tallem unë po nga këtu paska dal dhe Maluma bejbi”.