Ish Administratori i Digitalb, Alban Jaho, ka nisur prej kohësh të sulmojë kompaninë për të cilën punoi mbi 12 vjet, ku fitoi e përfitoi në mënyrë të padrejtë miliona euro, shkruan gazeta Shqip.
Jaho është shkarkuar në janar të vitit 2019 nga Digitalb, pasi u kap me vjedhje dhe abuzime të mëdha, ndaj kompanisë Digitalb. Dhe që prej asaj dite, ai vetëm ka sponsorizuar shkrime dhe shpifje për Digitalb dhe ndonjëherë për Top Channel.
Shpifja më e fundit është shkrimi i Jahos në portalin çnagjeti.al, ku thuhet se Digitalb nuk i ka paguar detyrimet Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK-së). Sipas portalit të çnagjeti.al, aksionerët e Digitalb, të cilët mes tyre janë Aleksandër Frangaj, Agim Zeqo, Samir Mane, Edmond Duka, Edmond Leka, Vjollca Hoxha e të tjerë, nuk kanë paguar paratë tek QKK-në, për filmat që transmeton Digitalb.
Por shkrimi i Alban Jahos, ku i kërkon aksionerëve të paguajnë para dhe i cilëson si hajdutë të shqiptarëve, është një shpifje.
Si është e vërteta?
Digitalb dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK), kanë operuar nëpërmjet një kontrate dhe të gjitha detyrimet janë paguar çdo qindarkë, sipas legjislacionit në fuqi. Në kontratën që kishte Digitalb me QKK-në, përfshihej pagesa për të Drejtën e Distribucionit dhe të Drejtën e Autorit.
Por nëpërmjet projektligjit 138, pjesë e ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to” si dhe të Udhëzimit të Ministrisë së Kultures Nr.663, datë 10.10.2017, është krijuar Sporteli Unik për administrimin e të Drejtës së Autorit, SUADA . Për pasojë Digitalb nuk mund të paguante njëkohësisht QKK dhe SUADA, pra, dy herë për të njëjtin shërbim.
Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi, pasi Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK), këmbëngul që të paguhet për të Drejtën e Autorit, pavarësisht se ligji nuk ia lejon këtë gjë. Megjithatë vetë ky institucion, në shkresat e dërguara, e pranon që Digitalb ka të drejtë me pagesat për të Drejtën e Autorit.
Prandaj, shkrimi i çnagjeti.al është një sajesë, e shkruar dhe sponsorizuar sërish nga Alban Jaho, për të dëmtuar padrejtësisht imazhin e Digitalb. Madje, vlen të theksohet në këtë rast, se vetë Jaho ka abuzuar me pozitën e tij si Administrator i Digitalb, në dëm të aksionerëve. Kjo sepse Jaho ka paguar njëkohësisht për të Drejtën e Autorit, dy tarifa tek dy institucione: 1. SUADA, 2. QKK.
Vjedhje dhe mashtrime
Alban Jaho është një figurë e përfolur për mënyrën sesi ka keqmenaxhuar Digitalb. Të gjithë ata që e njohin dhe që kanë punuar me të, e dinë shumë mirë për vjedhjet qindra mijëra euro, me projekte fantazëm.
Por dëmi më i madh që i ka shkaktuar Digitalb, është ajo e manipulimit të pasqyrave financiare, ku në bashkëpunim me Drejtoreshën e Financave kanë bërë blerjen abuzive të Supersport, duke mos marrë në konsideratë se kjo kompani ishte me bilanc negativ.
Pjesë e abuzimeve të Jahos ishin edhe kreditë që Digitalb kishte në një bankë të nivelit të dytë dhe bashkë më të janë edhe 28 shkelje të rënda, për të cilat është bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës.
Në total, ndaj Digitalb është shkaktuar një dëm prej 32 milionë eurosh, në 10 vitet e fundit, duke u konsideruar si vjedhja më e madhe që mund t’i bëhet një kompanie nga punonjësit e saj.
Marrë nga Gazeta SHQIP